Të dielën do të bllokohet për qarkullim rruga nacionale Prishtinë – Podujevë, raporton Llapi.info.

Kjo, pasi që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dega në Podujevë, ka thirrur protestë në shenjë revolte për zvarritjen e punimeve në këtë magjistrale.

Këshilltarja e LDK-së, Tringë Sfishta, në seancën e sotme të Kuvendit të Podujevës ka thënë se bllokimi i rrugës do të bëhet për 30 minuta, në shenjë pakënaqësie të ngecjes së punimeve për vite të tëra.

“Humbja e jetës së dy të mërgimtarëve sot është tragjike. Kjo rrugë lirisht mund të thirret rruga e vdekjes. Solidaritet për ata që pësuan, e protestë ndaj mosgatishmërisë për përfundimin e kësaj rruge. Ky shqetësim nuk duhej të merrej me ngjyrim politik. Në shenjë revolte për mos-finalizimin e këtij projekti, të dielën, nga ora 12:00, tek rrethi në Siboc, do të organizojmë protestë, duke bllokuar qarkullimin në këtë magjistrale. Ftojmë të gjithë kuvendarët, deputetët llapjanë dhe qytetarët tjerë, në këtë revoltë”, ka thënë Sfishta.

Sot, dy persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, derisa dy të tjerë janë në trajtim në QKUK. Në po këtë rrugë, pak orë më vonë se ky aksident, mbetën të lënduar tre persona tjerë në një përplasje mes një veture dhe një motoçiklete.

Punimet në këtë magjistrale kanë nisur në vitin 2016. Për dinamikën e punimeve, edhe Lëvizja Vetëvendosje pati protestuar në shtator të vitit 2018./Llapi.info