Janë bërë më shumë se 4 vite prej se kur banorët e fshatit Dumnicë e Podujevës kanë bërë projektin për asfaltimin e rrugës “Rrahman Rudari”.

E deri më tani, në këtë rrugë, përveç një shtrese zhavorr nuk është punuar më asgjë tjetër. Madje, edhe projektin për rregullimin e saj thonë se e kanë bërë vet, raporton Llapi.info.

“Në këtë  rrugë janë bë projekte të mëdha në vitin 2014 e kemi ba projektin një privat e kemi marrë se në atë kohë nuk i ka pagu komuna. 1300 euro e kemi pagu veç projektin me vllaznillakun, rruga ka qenë 3- 4 metra projektin ne e kanë ba 4 metra, a është dashur 6 metra asfalt, mirëpo poshtë atje kemi pas një problem se kojshitë këtu e kanë lëshuar, kështu vullnetarisht me pare e kemi ble aty diku nja 4 ari është dashtë. I kemi dhënë 4 mijë euro edhe e kemi zgjerua. Në vitin 2015 ka ardhur një kompani që nuk e di si quhet, nuk është me rëndësi, dhe ka fillu me ezgjeru me zhavor, siç po e shihni edhe vetë. Atëherë është dhënë premtimi që menjëherë pas një kohe me u shtru edhe në asfalt, mirëpo siç po e shihni edhe vet tash  po hyjmë në vitin 2018 dhe ajo është pa shtru. Prej që është shtru kanë kaluar tri vite, kurse katër vite prej kur është bërë projekti”, u shpreh M. Rrahmani.

Përveç projektit të rrugës, banorët e këtij fshati kanë thënë se kanë paguar edhe për projektin e kanalizimit, projekte këto të cilat janë ndërprerë tashmë e një kohë.

“Pas kësaj kurrë më hiç askush nuk na ka vizituar. Edhe projekti i kanalizimit është bërë, edhe për atë kem pagu dhe kurrë askush nuk është interesu më për atë punë. Arsyet pse është ndërpre ky projekt nuk i dimë ne asnjë, i dinë këta të komunës se këtu punojnë sipas fjalëve të katundit… s’po di për çka. Kushërinjtë kanë shku me lypë llogari, kanë thanë jo e shtrojmë e shtrojmë veç deri të vjen momenti. Asnjëherë ma hiç askush nuk është interesu”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë problem Llapi.info në një përgjigje elektronike ka marrë një përgjigje të shkurtër në të cilën thuhet se këta banorë duhet të presin deri në vitin 2018 që kjo rrugë të asfaltohet.

“Asfaltimi i rrugës “Rrahman Rudari” në Dumnicë ka hyrë në projektet e planifikuara me Buxhetin e miratuar për vitin 2018. Pra kjo rrugë do të asfaltohet gjatë vitit 2018” , thuhet në përgjigjen elektronike të komunës./Llapi.info