Prishtina është duke vazhduar të përforcohet, teksa sot pesë talentë i janë bashkuar klubit, njofton Llapi.info

Në mesin e tyre bën pjesë edhe 19-vjeçari nga Podujeva, Trimror Selimi, i cili në Prishtinë ishte transferuar para dy vitesh.

Qendërsulmuesi i U19 vetëm këtë edicion me këtë grupmoshë ka shënuar 20 gola për skuadrën e re bardhekaltër. Selimi, përveç qendrës së sulmit, në ekipin e parë nën urdhrat e kryetrajnerit Josa ka luajtur edhe si alo sulmuese.

Nënshkrimin e kontratës së re me klubin prishtinas e ka bërë të ditur vetë Selimi, përmes rrjetit social Facebook.

“Ndihem shumë i lumtur që fillimisht kam qenë pjesë e gjeneratave të reja, konkretisht të U19 të Prishtinës, përderisa lumturia e arrin kulmin tash kur kam nënshkruar kontratë me klubin më me emër dhe më me nam në Kosovë. Jam shumë i bindur që do të ua kthej besimin trajnerit dhe kryesisë së klubit duke djersitur fanellën me të njëjtat ngjyra që e kanë djersitur edhe shume yje të futbollit shqiptar sikurse Fadil Vokrri, Favzi Rama e shumë e shumë tjerë. Serioziteti në punë e bënë të veçantë sportistin. Përpara Prishtinë”, ka thënë Selimi./Llapi.info