Një taksist pretendon që i janë shfryer katër gomat nga inspektorët e Lipjanit, bashkë me taksistët e licencuar nga kjo komunë.

Florim Havolli, thotë se pasi i ka dërguar pasagjerët, kur është kthyer në parking, e ka gjetur automjetin në atë gjendje, dhe për këtë dyshon në inspektorët dhe taksistët tjerë, meqë kishte marrë vërejtje të mos operoj në Airport, pasi ky posedon leje nga komuna e Fushë Kosovës, por jo edhe nga ajo e Lipjanit.

Havolli këtë e konsideron si kërcenim, derisa për rastin e ka informuar policinë.

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Lipjanit, Flamur Sylejmani, përmes telefonit i tha Klanit, se në lidhje me këtë rast nuk është i informuar, porse janë të angazhuar kundër taksive ilegal për shkak të problemeve të shkaktuara nga ta, derisa në natën e ngjarjes, sipas tij nuk ka pasur inspektorë në Airport.

Klani mëson se kohë më parë Havolli ishte i përfshirë në një konflikt fizik me taksistët legal, gjë të cilën e konfirmoi edhe vet ai.