Lokale - eSIMy

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, njofton Llapi.info.

Në këtë takim, siç ka thënë ministri Zemaj, është diskutuar për funksionalizimin e Spitalit të Podujevës. Zemaj ka thënë se funksionalizimi i këtij Spitali do të bëhet realitet së shpejti, përkundër që “myzhden dhe prerja e shiritit” ka ndodhur disa herë.

“Së shpejti do të behet realitet funksionalizimi i Spitalit të Podujevës dhe ndërtimet shtesë sipas planprojektit, për këtë sapo biseduam së bashku me z. Agim Veliun, Ministër i Punëve të Brendshme, dhe z.Nexhmi Rudarin, nënkryetar i Podujevës. Gjatë takimit të sotëm, përkitazi për këtë projekt elaboruam në hollësi se si të funksionaliohet pa vonesa, i cili është i bazuar në nevojat dhe kërkesat e kësaj komune. Pashmangshëm folëm edhe për prioritetet aktuale të qeverisjes së institucioneve qendrore dhe lokale, për situatën epidemiologjike si dhe menaxhimin tutje edhe në komunën e Podujevës. Me Ministrinë e Punëve të Brendshme si dhe me autoritetet e Komunës së Podujevës kemi koordinim të shkëlqyeshëm ndërinstitucional dhe së bashku edhe me akterët e tjerë po angazhohemi maksimalisht për ta tejkaluar situatën e pandemisë dhe për të realizuar projektet e parapara”, ka shkruar Zemaj.

Duhet potencuar se objekti i Spitalit të Përgjithshëm është ndërtuar para rreth katër vjetëve, por asnjëherë s’është funksionalizuar. Në të, funksion ka kryer vetëm shërbimi i Maternitetit.

Madje, i njëjti është përuruar disa herë, por që funksionalizimi i tërësishëm i tij ka munguar. Opozita vazhdimisht i kritikonte komunarët e Podujevës, ndërsa këta të fundit tërë fajin e hidhnin tek SHSKUK./Llapi.info