Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri sot fjalën në Kuvend e nisi me akuza ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili pas dy javësh u kthye në Kosovë.

Tahiri tha se i njëjti nuk është kthyer nga vizita e tij në Francë e Greqi, edhe pas rastit në Deçan e reshjeve që shkaktuan dëme.

Madje ai i ka uruar mirëseardhje Kurtit në Kosovë, duke thënë se shpreson se ai “është kthyer nga muaji i mjaltit”.

“Kryeministër mirëse u ktheve në Kosovë, shpresojmë që qëndrimi jot në bregdetin e Greqisë dhe Francës, ta japin një far shtytje me përfundu muajin e mjaltit, e me ju kthy punës. 14 ditë vizitë jashtë vendit nuk kishin të bëjnë asgjë me interesa shtetërore e kombëtare, nuk e di çfarë interesi ka Kosova nga seminaret e së majtës, ku flitet gjithçka e veç për Kosovën jo.”

“Qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin pa viza, e nuk kanë mundësi të qëndrojë në hotele luksoze në të cilat qëndron kryeministri jonë. Në ditën ku e ka marrë lajmin për qytetarët e Decanit, ai do të ishte dashur që të kthehet, pra vendi ku ishte kryeministri jonë ishte nja 6-7 orë larg me veturë”, shtoi ai.

Tahiri tutje, i ka përmendur edhe reshjet dhe dëmet e shkaktuara në disa komuna të Kosovës.

“Gjatë kësaj kohe Kosovën e goditi një situatë e rëndë edhe nga vërshimet, normalisht që për këto nuk po të akuzojmë ty, mirëpo, u rrezikua direkt jeta e qytetarëve e u dëmtuan të mbjellurat e bizneseve, mirëpo, ti e vazhdove guidën tone, për Decan e bëre një postim, për vërshimet hic. Gjatë këtyre ditëve edhe Gjermania u godit nga reshjet, mirëpo, kancelarja gjermane e ndërpreu vizitën në SHBA e u kthy te qytearët, po t’i kryeministër nuk u ktheve, e vazhdove vizitën tënde. Nuk do të dëshiroja që papërgjegjësia të shkojë në këtë nivel”, thotë Tahiri.