Lokale - eSIMy

Shefi Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta rishqyrtojë edhe një herë vendimin për tubacionet e gazit.

“Çështje tjetër që ne si grup parlamentar i kërkojmë qeverisë së Kosovës është ta rishqyrtojë edhe një herë çështjen e gazsjellësit. Vendi ynë po hyn në një situatë dhe në një krizë energjetike, siç po hyn i gjithë rajoni dhe një pjesë e madhe e Evropës prandaj gjithmonë alternativat janë të rëndësishme aq më shumë për neve që po flasim për një projekt që financohet nga qeveria amerikane. Refuzimi i bën një dëm të madh vendit. Edhe një herë po e ritheksoj se i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që ta rishqyrtojë këtë vendim. Kosova nuk e ka luksin të refuzojë një projekt të tillë”, tha Tahiri, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ai ka thënë se refuzimi nuk është alternativë.

“Në këtë rast po flasim për një mbështetje që vije nga SHBA. Një pjesëe madhe e vendeve gazin e kanë alternativë të rëndësishme. Për tu ngrohur me energji elektrike është e shtrenjtë. Ne duhet të marrim hapa sa më parë që të sjellim alternativa për qytetarët që lidhet drejtpërdrejt me koston e jetesës. Refuzimi nuk është alternativë.”, shtoi ai.

Tahiri pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit bëri të ditur se deputetët do të mblidhen në seancë të martën e ardhshme, më 19 tetor.

Me këtë rast ai ka shtuar se sa më shpejtë duhet të miratohet Kodi i Procedurës Penale.