Lokale - eSIMy

Nënkryetari i parë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se taksa e vendosur nga Ramush Haradinaj kur ishte kryeministër, i ka bërë nder të madh vendit dhe ekonomisë, ndërkohë që reciprocitetin e vënë nga pasardhësi i Haradinajt, Albin Kurti, e ka quajtur farsë.

Tahiri që vjen nga AAK-ja, në emisionin Desku në KTV, ka thënë se Haradinaj u ka bërë ballë presioneve për çdo respekt.

“Ne kemi pas një pozicion shumë të qartë edhe me taksën e edhe për reciprocitetin. Për neve instrumenti i taksës ka qenë i rëndësisë së madhe ekonomike e politike ndaj Serbisë. Kemi krijuar argumente të forta te faktori ndërkombëtar për të ndalur kështu një agjendë të ndarjes së Kosovës. Qëndrimi i kryeministrit Haradinaj për këtë temë ka qenë për çdo respekt”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, rreziku i ndarjes së Kosovës ë nuk ekziston, mirëpo shton se po të kishte fituar AAK-ja zgjedhjet nuk do ta hiqte taksën.

Tash AAK-ja është pjesë e Qeverisë Hoti që në ditën e tretë të punës hoqi reciprocitetin ndaj Serbisë, i cili ishte vënë nga ish-kryeministri Albin Kurti si zëvendësim për taksën.

“Rreziku u ndarjes më nuk eksiton, ka qenë agjendë, por tash është e paqëndrueshme. Ka qenë goxha mirë e përgatitur dhe e zier. Marrëveshja që prek çfarëdo pjese të territorit, nuk është marrëveshje e paqes, por e konfliktit. Është e tejkaluar kjo”, ka thënë ai.