Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas sulmin ndaj policëve të Kosovës në veri.
Policia njoftoi të shtunën se është sulmuar me armë teksa ka qenë duke e vendosur një barkë patrolluese në Liqenin e Ujmanit.
Sveçla ka thënë se grupet ilegale serbe me mbështetje të strukturave serbe po pengojnë vazhdimisht Policinë e Kosovës.
“Grupet ilegale serbe të cilat tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit tonë”.
Ai numëroi dy herë brenda pak ditësh që është shtënë ndaj policëve, që siç tha Sveçla, qëllimi ka qenë t’i pengojnë ose t’i vrasin.
“Gjuajtja me armë drejt zyrtarit policor është sulm ndaj institucionit kryesor të shtetit. Për më pak se 1 javë, 2 herë strukturat kriminale kanë shtënë drejt zyrtarëve policor për t’i penguar ose për t’i vrarë ata”.
Ministri Sveçla tha se autoritetet do të vazhdojnë të kryejnë detyrat siç parashihen me ligj e Kushtetutë, pavarësisht sulmeve.
“Për asnjë kusht nuk do të tërhiqemi nga e drejta jonë, pavarësisht çdo sulmi të organizuar apo orkestruar nga kriminelë që ju pengon puna jonë në çdo cep të Republikës së Kosovës”.