U.d. së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se ka kërkuar nga organet e drejtësisë zbardhjen e rastit të vdekjes së 26-vjeçarit që u hodh nga kati i pestë i konviktit në Qendrën e Studentëve.

Përmes një postimi në Facebook ai i ka bërë thirrje Prokurorisë që rastin ta trajtojë me prioritet.

“Dje jemi ballafaquar të gjithë, si individë, si familjarë, si institucione e si Republikë me lajmin tragjik mbi shuarjen e një jete të re. Dua t’ju informoj që në pajtim me kompetencat e mia, kam kontaktuar drejtorin e Policisë dhe kam kërkuar angazhim maksimal të Policisë në hetimin e këtij rasti. Ju siguroj që të gjitha masat që janë në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të ndërmerren pa asnjë hezitim”, ka thënë ai.