Gjashtë zyrtarë policorë në veri të Kosovës janë suspenduar si rrjedhojë e mosreagimit të tyre në një rrahje që ka ndodhur në pasditen e djeshme në Mitrovicë të Veriut.

Kjo është bërë e ditur me anë të një komunuikate për media nga Inspektorati Policor i Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Zyrtarët e Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut kanë reaguar dje në orët e pasdites një rast të rrahjes në mes pesë personave të dyshuar në rrugën “Mbreti Petër”. Të dyshuarit e përfshirë në këtë incident janë shoqëruar në stacionin policor si dhe të lënduarve u është ofruar tretman mjekësor”, thuhet në komunikatë.

Sidoqoftë, ekziston dyshimi se disa zyrtarë policorë kanë dështuar të reagojnë bazuar në autorizimet e tyre për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe nuk kanë reaguar në nivelin e duhur profesional në këtë incident.

Bazuar në këtë, Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut ka suspenduar 6 zyrtarë policorë (në mesin e tyre edhe një zyrtar policor me gradën e kapitenit ).

Lidhur me rastin është i njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës. Hetuesit e IPK-së në përputhje me autorizimet ligjore dhe fushëveprimin e Inspektoratit Policor kanë filluar një procedurë hetimore preliminare në koordinim edhe me prokurorinë kompetente.