I dyshuari kryesor për sulmet në Christchurch të Zelandës së Re nuk e pranoi fajësinë në asnjë akuzë.
Brenton Tarrant, i vetëdeklaruar supremacist i bardhë akuzohet për vrasjen e 51 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve në dy xhami të Christchurch-it, më 15 mars.
Mbi të rëndon edhe akuza për terrorizëm, e cila bart dënimin maksimal me burgim të përjetshëm.
Duke u paraqitur në seancën e gjyqit, përmes video lidhjes nga burgu, australiani 28-vjeçar qëndroi i heshtur, ndërsa avokati ia lexoi deklaratën, shkruan BBC përcjellë Klan Kosova.
Gjykatësi Cameron Mander tha se gjykimi është caktuar për 4 maj të vitit të ardhshëm dhe se Tarrant do të mbetet në paraburgim.
Sulmet në Kristçërç janë përshkruar si të shtënat më vdekjeprurëse masive në Zelandën e Re.