Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Kështu, ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Strellc i Ulët – Deçan, ku një djalë ka sulmuar fizikisht prindërit e tij.
Burime të besueshme nga Prokuroria Themelore në Pejë bëjnë të ditur se viktimat H. B., rreth 66-vjeçar dhe M. B., rreth 62-vjeçare kanë raportuar në Polici se janë sulmuar fizikisht nga djali i tyre, H. B., rreth 37-vjeçar, i cili ndodhej në shtëpi në momentin kur kanë njoftuar autoritetet.
Njësitë policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë shoqëruar të dyshuarin në stacionin policor në Deçan, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Ndërkohë, viktimat janë dërguar për trajtim mjekësor në QKMF-Deçan, dhe më pas janë marrë në pyetje nga hetuesit.
Me urdhër të Prokurorit Kujdestar nga PTH-Pejë, rasti është inicuar si “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar motivin dhe rrethanat e plota të ngjarjes.






