Një e mitur është sulmuar seksualisht në shkollën e mesme ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, njofton Llapi.info.
Rastin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, ndërkohë që një person është arrestuar.
“Podujevë 24.11.2021-12:00. Me 26.11.2021 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dyshohet të ketë kryer veprën e lartcekur. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, rasti në procedurë hetimore”, ka thënë PK.
Rasti, siç ka raportuar babai i të miturës ka ndodhur në shkollën “Isa Boletini”.
Babai i saj ka thënë për Sinjalin se kur vajza e tij ka dalë në korridor të shkollës, dy persona e kanë kapur dhe e kanë futur në klasë dhe kanë tentuar ta dhunojnë.
“Rasti ka ndodhur brenda objektit të shkollës. Masi ka dalë çika në korridor, e kanë marrë e kanë shti në klasë edhe kanë tentu me dhunu. Njëri prej tyre është arrest ndërsa tjetri jo. Jemi t’u pritë vendimin me ditë se kush është i arrestuar, e kena lypë emrin po s’na kanë dhënë. Të dyshuarit janë të moshës madhore, nuk janë nxënës të shkollës, por huliganë që sillen kah shkolla”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka shtuar se policia dhe organet e sigurisë janë duke marrë masa, ndërkohë që ka shtuar se gjendja e vajzës së tij është stabile./Llapi.info
.






