Një 57-vjeçar ka përfunduar sot në QKUK pasi u sulmua nga një person i panjohur në mes të rrugës “Xhavit Mitrovica” në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se viktima është dërguar në këtë qendër me lëndime në kokë dhe në fytyrë, si pasojë e goditjeve që ka pësuar gjatë rrahjes.

Sinjali mëson se ende nuk dihet motivi i rastit, por që Policia ka nisur hetimet pasi ka marrë deklaratën nga 57-vjeçari, i cili dha detaje se si u ballafaqua me të dyshuarin, që i doli befasisht në rrugë dhe e sulmoi.

Ai po vazhdon trajtimin mjekësor në QKUK, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “lëndim i rëndë trupor” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin e të dyshuarit.