Krimet kibernetike përbëjnë sot një nga shqetësimet e mëdha për sigurinë në mbarë botën. Edhe Kosova ka qenë e ekspozuar disa herë nga sulmet kibernetike, të cilat kryesisht kanë ardhur nga Serbia, Bosnje e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, por edhe nga Rusia.

Autoritetet përgjegjëse thonë se Kosova ka dhe siguron një mjedis të sigurt të hapësirës kibernetike, duke minimizuar dhe parandaluar kërcënimet kibernetike në bashkëpunim me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë.

Abdulselami Shkodra, zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, tha për Radion Evropa e Lirë, se sikurse edhe shumë vende të ndryshme, edhe Kosova është e ekspozuar ndaj sulmeve të ndryshme kibernetike.

“Në rast të tentimeve për ndonjë sulm eventual në sistemet e institucioneve të vendit dhe qytetarëve, do të merren masat, të cilat janë të nevojshme, siç janë ato preventive dhe ato të rikuperimeve të shpejta, në rast të ballafaqimit me ato sulme”, tha Shkodra.

Sulmi kibernetik është një veprim kriminal që zhvillohet në rrjetin e komunikimit, duke keqpërdorur sistemin dhe të dhënat kompjuterike. Me një sulm të tillë, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme thanë se Kosova u ballafaqua në fund të vitit të kaluar, kur një nga institucionet e Kosovës ishte sulmuar nga hakerët serbë.

Zëvendësministri Shkodra theksoi se Kosova qëndron më së miri në rajon sa i përket kësaj fushe, pasi që, siç tha ai, vendi ka strategjinë kombëtare për sigurinë kibernetike si dhe Këshillin kombëtar për implementimin e strategjisë. Shkodra tha se Kosova apo institucionet e saj, në bazë të vlerësimeve, mund të kenë pasur sulme nga IP-të [Protokolli i Internetit të një sistemi] adresat e shteteve që nuk ia duan të mirën Kosovës.

“Ne kemi qenë të atakuar vitin e kaluar prej IP-ve që kanë ardhur nga vendet jo dashamirëse të Kosovës, siç është fqinji ynë verior Serbia, njëra nga IP-të që janë sulmuar institucionet e vendit ka qenë nga Federata Ruse, nga Bosnjë e Hercegovina dhe një nga vendet e rajonit Maqedonia. Të njëjtit kanë synim që të hynë në sistemet kompjuterike të institucioneve të vendit, mirëpo deri tani janë zmbrapsur me sukses”, tha Shkodra.

Ministria e Jashtme e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar pati njoftuar përmes një postimi në Twitter se ka qenë cak i një sulmi kibernetik.

“Autoritetet përkatëse janë përgjigjur dhe janë duke punuar për të mbajtur sistemin e komunikimit të sigurt dhe në funksion. Hetimet e para tregojnë se burimet e sulmeve kanë ardhur nga Serbia dhe Bosnja”, kishte shkruar MPJ në Twitter.

Në organizatën joqeveritare Siguria Kibernetike dhe Privatësia, thonë se Kosova është duke bërë përpjekje për mbrojte nga sulmet e mundshme kibernetike, por, ndryshe nga institucionet e shtetit, në këtë organizatë thonë se puna lë shumë për të dëshiruar për atë që ëshët bërë deri tani.

Mentor Hoxhaj nga organizata Siguria Kibernetike dhe Privatësia tha për Radion Evropa e Lirë, se të gjithë shfrytëzuesit e internetit duke nisur nga ata individual e deri të institucionet e nivelit lokal, qendror, publik e privat janë të ekspozuar ndaj sulme të mundshme kibernetike. Sipas tij, kur flasim për ngritjen e kapaciteteve për mbrojtje nga sulmet kibernetike ende ka punë për të bërë.

“Kosova ka shumë për të bërë për tu përgatitur lidhur me sfidat të cilat e presin në fushën e sigurisë kibernetike. Momentalisht Kosova nuk është e përgatitur për sfidat aktuale në fushën e sigurisë kibernetike. Kosova është mjaft e ndjeshme ndaj sulmeve të tilla. Nuk shohim që institucionet e Republikës së Kosovës kanë marr masa serioze për tu mbrojtur nga sulmet e mundshëm”, tha Hoxhaj. Ai tha po ashtu se nga disa hulumtime dhe testime të bëra është vërejtur se shumë institucione nuk kanë ndërmarr ende masat minimale për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike.

“Ende është duke u punuar, ende nuk janë kapacitet e nevojshme si njerëzore ashtu edhe teknike për t’u përballur me sulme të mundshme të cilat mund t’i kenë institucionet shtetërore apo institucionet publike dhe private. Po ashtu, nëse i marrin parasysh edhe vlerësimet që i kemi bërë sa i përket nivelit të sigurisë së institucioneve publike dhe private, ne kemi bërë edhe disa kërkime të vogla dhe po them se Kosova lë mjaft për dëshiruar kur sheh se institucionet publike nuk kanë marr masat bazike”, tha Hoxhaj.

Nga ana tjetër, zëvendësministri Shkodra i hedh poshtë pohime se institucionet nuk kanë kapacitet për të punuar në ketë drejtim.

“Institucionet e vendit kanë kapacitet të nevojshme e të bollshme njerëzore në ketë rrafsh dhe të njëjtat bëjnë punën në mënyrë të përkushtuar dhe ju themi qytetareve dhe institucioneve se të njëjtat marrin masa të nevojshme që ata të jenë të sigurt”, tha Shkodra.

Kosova ka Ligj për Parandalimin dhe Luftimin e Krimit Kibernetik. Po ashtu zyrtaret e Ministrisë Punëve të Brendshme thonë se aktualisht është duke u draftuar edhe projektligji për siguri kibernetike. Ata thanë se në ligjin e ri do të përfshihen shumë segmente të cilat do të krijojnë lehtësime më të mëdha për veprim në këtë fushë. /REL