Në Kosovë numri i personave të cilit pësojnë sulme kardiake është në rritje e sipër, e ku shumë prej tyre përfundojnë me fatalitet. Për këtë, një grup studiuesish amerikanë po bëjnë hulumtime përmes një projekti të quajtur HAPPY Kosova “Heart Attack Prevention Program for You”, i cili ka si synim të hulumtojë faktorët rrezikues të sëmundjeve vaskulare iskemike dhe matja e pllakës atherosklerotike në arterien karotide në popullsinë e Kosovës. Ky është një program ndërkombëtar i cili ka filluar në Holandë dhe ka vazhduar në disa shtete të botës, përfshirë Indinë, Bolivinë, SHBA-të, Gjermaninë, Nepalin etj.

Ky hulumtim tenton të fillojë një fushatë afatgjate në Kosovë për ngritjen e vetëdijes rreth faktorëve që ndikojnë në sëmundjet e zemrës dhe parandalimin e tyre. Udhëheqësja e këtij projekti është nga Kosova e cila jeton dhe punon në Amerikë. Nora Gashi është specialiste e kardiologjisë invazive e cila punon në disa spitale të zemrës në New York e që realisht ajo është më meritorja që e ka sjellë këtë projekt edhe në Kosovë. Nora thotë për Indeksonline se këtë gjë e ka bërë në baza vullnetare duke dashur që sadopak të kontribuojë për vendin e saj duke e sjellë përvojën dhe profesionalizmin që ka marrë në Amerikë.

“Ky projekt ka për qëllim studimin dhe parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe sëmundjeve kardiovaskulare në përgjithësi. Kemi filluar këtu në fshatin Bukosh të Komunës së Suharekës pasi që deshëm ta kqyrim një fshat në tërësi po ashtu edhe në Prishtinë ja kemi nisur. Qëllimi është të marrim faktorët e rrezikut prej pacientëve, historinë e tyre të shikojmë se si i kanë nivelet e kolesterolit në gjak dhe ato kur t’i kombinojmë me ato çka shohim në arteriet karotide dhe pastaj ta kemi një pasqyre se ku qëndron ky person dhe sa e ka probabilitetin e zhvillimit të sëmundjes në të ardhmen”, thotë dr. Nora Gashi.

Ky projekt hulumtues fillimisht do të ketë shtrirje në Komunën e Suharekës dhe të Prishtinës por që ka për qëllim të shtrihet në gjithë Kosovën. Kjo po bëhet në bashkëpunim me QKMF-të e këtyre komunave për të cilat dr.Nora Gashi thotë se ka gjetur mbështetje të madhe ku i janë ofruar në dispozicion ambulanta bashkë me stafin përcjellës pasi që po bëhet duke shkuar nëpër fshatra shtëpi më shtëpi. Për më shumë ndiqeni intervistën e dhënë për Indeksonline nga dr.Nora Gashi: