Joseph Chipolina kishte disa mbështetës të pazakontë kur shënoi golin e fitores për Gjibraltarin kundër Lihtenshtajnit muajin e shkuar.
“Unë jam oficer i burgut dhe kur u ktheva në punë pas ndeshjes të gjithë të burgosurit më përgëzuan për golin, e kishin shikuar ndeshjen. Më thanë se kur shënova golin, të gjithë të burgosurit filluan të kërcasin nëpër dyert e qelive”, thotë ai.
Chipolina qeshet derisa rrëfen tregimin e tij, por ka një mesazh shumë serioz që e mbështet atë: se, në Gjibraltar, komuniteti është i lidhur aq ngushtë, saqë edhe kriminelët e dënuar kanë një rol në suksesin e ekipit të futbollit. Këtë e thotë edhe kushëriri i Josephit, Roy Chipolina, që njëherësh është edhe kapiten i Përfaqësueses së Gjibraltarit: “Kjo mund të ndodhë vetëm në Gjibraltar”, shkruan sot Koha Ditore.
Për fat të mirë, kohët e fundit në Gjibraltar, futbolli ka dhënë mjaft arsye për të festuar. Pasi u njoh zyrtarisht nga UEFA në vitin 2013, Gjibraltari që ka një popullsi prej 32 mijë banorëve, e fitoi vetëm një nga 29 ndeshjet e para pas pranimit. Këtë vit, ka tri fitore në pesë ndeshje, përfshirë këtu sukseset brenda dhe jashtë në kuadër të Ligës së Kombeve. Nëse vazhdon me këtë formë, Gjibraltari, do të befasojë edhe më shumë botën e futbollit.
Të premten (sot) në “Victoria Stadium” do të presë Armeninë, që e mposhti muajin e shkuar në udhëtim, falë një goli tjetër të Josephit. Në rast se mposht Armeninë dhe tre ditë më vonë, të njëjtën gjë e përsërit ndaj Maqedonisë, atëherë Gjibraltari do të jetë lider i grupit që automatikisht do të promovohej në Ligën C. Brenda një viti, Gjibraltari është ngritur në pozitën e 190-të nga 206-ta në ranglistën e FIFA-s.






