Lokale - eSIMy

Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Suedi ka shkuar në mbi 1.000, duke tejkaluar kështu shtetet fqinje, përderisa shkencëtarët vazhdojnë ta vënë në pikëpyetje qasjen e këtij shteti gjatë pandemisë.

Agjencia suedeze e shëndetit publik ka bërë të ditur të mërkuren se numri i të vdekurve nga koronavirusi në këtë shtet ka shkuar në 1.203, apo rreth 101 viktima në një milion banorë, krahasuar me 51 në Danimarkë dhe vetëm 11 në Finlandë. Të dyja këto shtete kanë vendosur masa të hershme të rrepta për të frenuar përhapjen e virusit, raporton “Guardian”, transmeton KOHA.

Ndonëse autoritetet suedeze i kanë mbyllur shkollat e mesme dhe kanë ndaluar tubimin e më shumë se 50 njerëzve, ata iu kanë kërkuar qytetarëve, duke mos ua ndaluar, t’i shmangin udhëtimet e panevojshme, të punojnë nga shtëpia dhe të qëndrojnë brenda në shtëpi nëse janë mbi 70 vjeç, ose ndjehen të sëmurë.

Statistikat tregojnë se afërsisht gjysma e fuqisë punëtore suedeze tani po punon nga shtëpia,
përdorimi i transportit publik ka rënë për pesëdhjetë për qind në Stokholm, derisa rrugët e kryeqytetit janë rreth shtatëdhjetë për qind më pak me njerëz sesa zakonisht. Megjithatë, suedezët ende mund të blejnë, shkojnë në restorant dhe t’i dërgojnë fëmijët në shkolla, edhe nëse ndonjë anëtar i familjes është i sëmurë.

Refuzimi i qeverisë për t’i mbyllur shkollat e mesme dhe fillore, si dhe këmbëngulja e autoriteteve që vetëm fëmijët që janë vetë të sëmurë mund të qëndrojnë në shtëpi, ka shkaktuar shqetësime të veçanta për disa familje dhe mësimdhënës.

Kjo strategji është kritikuar edhe prej disa prej shkencëtarëve kryesorë të Suedisë. Një grup prej 22 mjekësh, virologësh dhe hulumtuesish e kanë kritikuar të martën agjencinë e shëndetësisë, në një vështrim të botuar në gazetën “Dagens Nyheter”.

“Në Suedi, numri i të vdekurve është dhjetë herë më i madh sesa në Finlandën fqinje”, shkruajnë ata. “Qasja duhet të ndërrojë në mënyrë radikale dhe të shpejtë”.