Lokale - eSIMy

Luis Suarez beson se Neymarit duhet t’i jepet më shumë hapësirë për ta shqyrtuar të ardhmen e vet, mes spekulimeve të vazhdueshme për një kthim të mundshëm në Barcelonë.

Uruguaiani dhe Neymari, bashkë me Lionel Messin, e kishin formuar një partneritet të frikshëm në fazën e sulmit për klubin katalonas mes viteve 2014-2017, para se braziliani të largohej në PSG, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, tani, Neymari është i përkushtuar për t’u larguar nga parisienët, por Suarezi e ka nxitur atë të qëndrojë i qetë pasi që ky mund të jetë moment i vështirë për ish-bashkëlojtarin e tij.

“E di që është kohë e vështirë për Neymarin. Ai duhet të qëndrojë i vetëm me njerëzit e tij për të vendosur se çfarë dëshiron”, ka thënë Suarezi.

Neymari ende s’e ka bërë asnjë paraqitje për Paris Saint-Germainin në sezonin e ri të Ligue 1, por saga e transferimit të tij pritet të vazhdojë deri të hënën në 23:59 kur mbyllet afati kalimtar.

Duke folur pas fitores me rezultat 2:0 kundër Metz të premten, drejtori sportiv i PSG-së Leonardo e theksoi edhe një herë gatishmërinë e PSG-së për ta lejuar largimin e Neymarit, mirëpo shtoi se i takon Barcelonës ta bëjë një ofertë mjaftueshëm të mirë para se të mbyllet afati kalimtar.

“Pozicioni ynë ka qenë gjithmonë shumë i qartë, ata gjithmonë e kanë ditur se çfarë kemi kërkuar ne, ishim të qartë në çdo mënyrë të mundshme. Oferta e parë formale ishte më 27 gusht, pesë ditë para fundit të afatit kalimtar. Ne ishim të gatshëm të flasim me lojtarë të tjerë për ta arritur marrëveshjen, por kurrë nuk e morëm ofertën që e kërkuam”, ka thënë Leonardo.

“Gjithçka varet nga Barcelona, tani kanë mbetur edhe tri ditë para fundit të afatit kalimtar. Sot, marrëveshjen nuk e kemi. Ne ishim të hapur, por kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri në fund të afatit kalimtar”.

“Pozicioni i Neymarit ka qenë gjithmonë i qartë, i joni gjithashtu. Nëse një ofertë e kënaqshme do të vinte, ai mund të largohej. Por, nuk ndodhi kështu. Pozicionet tona ishin shumë të qarta për të gjithë. Të gjithë e dimë, ne nuk pajtohemi, ne dimë gjithçka, ne flasim me njëri-tjetrin, Barcelona bën propozime, ne i pranojmë ose jo”.

“Ne e themi të vërtetën, ishim të hapur ndaj largimit të tij vetëm nëse një ofertë do të ishte e kënaqshme për ne. Një ofertë e tillë nuk ka ardhur, asgjë nuk pritet të ndodhë deri të hënën”.

Leonardo gjithashtu e pranoi se marrëdhënia e Neymarit me klubin francez nuk është ideale dhe se ata tashmë e kishin shqyrtuar mundësinë e gjetjes së një zëvendësuesi për të.

“Ne e deshëm një zëvendësues dhe lojtarë të tjerë për ta kompletuar marrëveshje, ishim të hapur për një gjë të tillë”, shtoi drejtori sportiv i PSG-së.

“Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, nuk e njoh atë. Me kalimin e kohës, unë po e vlerësoj personalitetin e tij, ai është një djalosh i mirë. Por, është normale që duam ta kemi marrëdhënien më të mirë të mundshme me të dhe sot nuk e kemi një marrëdhënie ideale”.