Studenti 24-vjeçar nga Prishtina, Endrit Toplica ka bërë një dorë robotike që mund të përdoret për personat me duar të amputuara.
Topanica pajisjet i ka blerë në dyqanet online jashtë vendit dhe dorën prej plastike e ka shtypur me një printer 3D.
Këtij studenti i janë dashur 6 muaj për të bërë një dorë të tillë.
“Dora robotike, në të ardhmen mund t’iu përshtatet njerëzve në vend të një proteze statike, e cila lëviz në ndikim të muskujve. Dora i ka pesë motorë brenda që bëjnë lëvizje lineare, lëvizje drejt, para dhe mbrapa. Kjo pajisje e vogël, lëvizjet e muskujve i shndërron në sinjale elektrike, ajo i dërgon përmes një pllake të vogël kontrolluese dhe brenda ka një algoritëm që të gjitha sinjalet elektrike i dërgon në lëvizje për secilin motor, varësisht si e ke menduar ti ta lëvizësh dorën, kjo i bën ato lëvizje”, thotë studenti Toplica.
Ai thotë se tash mund ta bëjë shumë më shpejt.
“Deri 90 për qind është masa e saktësisë dhe 10 për qind që mund të gabojë. Personi ka nevojë për testim dhe prova deri sa të dijë, të mësohet të punojë me të. Kjo dorë mund të shërbej si protezë dhe protezë shumë më e lirë dhe që ofron më shumë gjëra se sa protezat e zakonshme. Nëse ia vendos këtë dorë dhe pas pesë vjetëve normalisht, fëmijës pse personit i ndryshon madhësia e njërës dorë, lirisht të gjitha pjesët elektrike, motorët i ruan dhe vetë e printon një madhësi më të madhe dhe ia vendos të gjitha, për një kosto shumë më të ulët, pra nuk ke nevojë ta ndërron të gjithë protezën”, thotë ai.
Në Klinikën Ortopedike, rreth tre mijë persona në vit kërkojnë shërbime/proteza për njërën nga gjymtyrët e trupit. Vendosja e një dorë robotike mund të bëhet pa u konsultuar me ortopedin.
Në një të ardhme të afërt, Endriti thotë se mund të fillojë prodhimin e më shumë pajisjeve të tilla për ata që kanë nevojë. /REL