Lokale - eSIMy

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë të mërkurën se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, banon në një shtëpi me qiranë në Taslixhe e të cilën e paguan 250 euro çdo muaj.

Për më shumë, ai thotë se shtëpia është e dy bashkëatdhetarëve Blerim dhe Shega Zagragja të cilët jetojnë në Norvegji.

Sipas tij, ata ia dhanë mundësinë Kurtit që në atë shtëpi të banojë pa pagesë – por Kurti s’ka pranuar.

“Shtëpia në Taslixhe ku banon kryeministri nuk i ka 500 por 230 metra katrorë. Dhe kjo hapësirë nuk është plotësisht e shfrytëzueshme”, ka thënë Kryeziu. “Dy dhoma janë të papërdorshme, njëra është e bllokuar me gjësendet e pronarit e tjetra është dhomë e sigurisë. Shtëpia është e vjetër rreth 50 vjeç”.

Kryeziu ka shtuar se Kurti e ka ndërruar vendbanimin pas rekomandimeve që ka marrë prej këshilltarëve të sigurisë.

“Kryeministri pat vendosur që të ndërrojë vendbanim pas udhëzimeve të këshilltarëve të sigurisë të cilët kanë vlerësuar që mbrojtja e afërt dhe policia e Kosovës kanë shumë vështirësi për përgatitjet dhe organizimin e sigurisë aty ku banonte Kryeministri te parku i qytetit”, ka mbaruar Kryeziu.

Shkrimi i plotë i zëdhënësit të qeverisë, Përparim Kryeziu:

Kryeministri Kurti paguan qira mujore prej 250 euro. Ai banon në shtëpinë e bashkatdhetarëve Blerim dhe Shega Zagragja që jetojnë në Drammen të Norvegjisë. Kryeministri i njeh ata që prej disa vitesh. Anëtarët e tjerë të familjes Zagragja i ka njoftuar më vonë, pasi që është bërë banor në Taslixhe.

Blerim dhe Shega Zagragja kanë dashur që Kryeministrit Kurti t’ia mundësojnë të banojë falas në shtëpinë e tyre, mirëpo Kurti nuk ka pranuar. Janë marrë vesh që ai ta paguajë qeranë aq sa ka qenë duke e paguar më herët te banesa afër parkut të qytetit.

Shtëpia në Taslixhe ku banon kryeministri nuk i ka 500 por 230 metra katrorë. Dhe kjo hapsirë nuk është plotësisht e shfrytëzueshme. Dy dhoma janë të papërdorshme, njëra është e bllokuar me gjësendet e pronarit e tjetra është dhomë e sigurisë.Shtëpia është e vjetër rreth 50 vjeç.

Kryeministri pat vendosur që të ndërrojë vendbanim pas udhëzimeve të këshilltarëve të sigurisë të cilët kanë vlerësuar që mbrojtja e afërt dhe policia e Kosovës kanë shumë vështirësi për përgatitjet dhe organizimin e sigurisë aty ku banonte Kryeministri te parku i qytetit.