Qytetarët e Podujevës, ende nuk mund të marrin shërbime nga Spitali i ri i Përgjithshëm i kësaj komune. Kjo, për shkak se përkundër që ndërtimi i objektit ka përfunduar, funksionalizimi i tij ende nuk është bërë.
U premtua se shërbimet qytetarët do t’i merrnin në vitin 2017, fillimi i punës u shty për vitin 2018 e deri më tani në këtë objekt vetëm reparti i Maternitetit është bartur, raporton Llapi.info
Për mos funksionalizim, Komuna e Podujevës fajëson Ministrinë e Shëndetësisë. Zëdhënësi i Komunës, Nazmi Elezi ka thënë se e gjithë barra i mbetet kësaj Ministrie.
“Ne e kemi kryer punën si komunë, tani funksionalizimi është në duar të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë Elezi për Llapi.info
Se a do të vihet në funksion i tëri këtë vit, Llapi.info ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë, por zyrtarët për Informim nuk u janë përgjigjur pyetjeve të redaksisë.
Në anën tjetër partitë opozitare në Podujevë, fajësojnë kryetarin e komunës, Agim Veliu. Shefi i GK të PDK-së në Podujevë, Rafet Llapashtica, e ka cilësuar qeverisjen e të parit të Podujevës si të dështuar.
“Ky është edhe një nga dështimet e radhës të qeverisjes lokale të LDK-së të udhëhequr nga kryetari Veliu në Podujevë. Ky projekt është dashur të kryhet në vitin 2017, por kjo s’ka ndodhur. Ne jemi dëshmitarë se LDK nuk njihet as në nivel lokal këtu në Podujevë, por as në nivel nacional për realizimin e projekteve të mëdha. Mos aftësia profesionale dhe neglizhenca e mosangazhimit për këtë çështje sot Podujeva nuk ka spitalin e qytetit”, ka thënë ai për Llapi.info.
Llapashtica tutje ka përmendur edhe institucione tjera që sipas tij i mungojnë Podujevës.
“Shumë sende i mungojnë Podujevës dhe komuna jonë ka mbetur si një zorrë qorre në nivel vendi si shkas i burokracisë, neglizhencës së një qeverisje e cila nuk ka treguar asnjë rezultat. Sot komuna e Podujevës si një ndër komunat më të mëdha ka mbetur pa spital funksional, pa universitet apo së paku një degë të ndonjërit nga fakultetet publike.
Ka mbetur pa zonë industriale pa zhvillim ekonomik dhe me një nivel më të lart të papunësisë. Një ndër të vetmet komuna pa as një investitor të partneritetit publiko-privat. Mendoj se është qeverisja ma e pa vlerë në nivel vendi dhe ka lënë çdo të ri dhe qytetarë të Podujevës pa shpresë për ndonjë të ardhme në vendin ku jetojnë këtu në komunën tonë në Podujevë”, ka shtuar ai.
Sipas tij, mjekët profesionistë në Komunën e Podujevës nuk kanë hapësirë për të dhënë kontributin e tyre.
“Një prej problematikave jetike është edhe rasti i funksionalizimit të spitalit ku gjithë këta banorë afro njëqindmijë banorë të Podujevës drejtohen për Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Kjo nuk ka as një arsye dhe përgjegjësia bie direkt mbi kryetarin Veliu dhe drejtoritë e kësaj qeverisje”, ka përfunduar Llapashtica.
Kurse, këshilltari Vendenis Lahu nga VV, thotë se ky objekt është përdorur për fushatë elektorale në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale.
“Ndërtimi dhe funksionalizimi i Spitalit te Përgjithshëm është përdorur me pompozitet, për qëllime elektorale edhe në zgjedhje parlamentare të vitit 2017 e po ashtu edhe në zgjedhje lokale, nga LDK. LDK ka menaxhuar me komunën tonë e po ashtu edhe me Ministrinë e Shëndetësisë përgjatë kësaj kohe, ndërsa spitali vazhdon të jetë jofunksional edhe pse qeveria lokale ka tentuar ta mashtroj opinionin se ka filluar funksionalizimin e tij, e në të vërtetë aty vetëm është bartur shërbimi i Maternitetit, shërbim i cili ekziston qysh moti. Kjo bie në kundërshtim me qëndrimin e tanishëm të qeverisjes komunale se kjo përgjegjësi nuk u takon atyre. Pra, komuna po bën lojë të dyfishtë në dëm të qytetarëve të komunës sonë”, ka thënë ai.
Sipas Lahut, Komuna nuk ka krijuar politika që spitali të ketë staf profesional.
“Komuna është dashur të krijojë politika kuadrovike në mënyrë që të ketë staf profesional për Spital të Përgjithshëm, gjë të cilën nuk e ka bërë. Realisht, kuadrovikisht ne jemi të papërgatitur për spital, e kjo faturë i shkon qeverisjes lokale”, ka thënë Lahu.
Kujtojmë, për këtë objekt të ‘mbyllur’, kritika të shumta nga opozita në Podujevë janë dhënë gjatë seancave të ndryshme në Kuvendin Komunal./Llapi.info






