Lokale - eSIMy

Ish-deputeti i PDK-së dhe shefi i Shërbimit Ushtarak në Zonën Operative të Llapit (ZOLL), Latif Gashi është ftuar sot nga Gjykata Speciale për intervistim, njofton Llapi.info.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Gashi në një postim në rrjetin social Facebook, gjersa ka shtuar se do të intervistohet nga dhomat e specializuara më 27 gusht.

“Ju njoftoj se sot kam pranuar një thirrje telefonike nga një hetues për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë. Ky intervistim do të bëhet me 27 gusht 2020. Si në shumë procese të deritanishme për liri dhe pavarësi: Ilegalja e hershme, ilegalja dhe formimi i UÇK-së, lufta e UÇK-së. Procesin e pavarësisë dhe atë të shtetndërtimit; Procese gjyqësore nga gjykata e UNMIK, ai nga Gjykata EULEX, (gjithsej 16 vite në shërbim të drejtësisë ndërkombëtare). Vetëm për të plotësuar standarde ndërkombëtare të pa drejta ndaj luftës së UÇK-së”, shkroi Gashi.

Ish-shefi i Shërbimit Ushtarak në Zonën Operative të Llapit tha se do të dëshmojë edhe njëherë se lufta e UÇK-së ka qenë dhe mbetet e drejtë.

“Tani dhe kurdo qoftë, unë dhe bashkëluftëtarët e mi edhe këtë herë do të dëshmojmë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë vendimtare e drejtë dhe do mbetet e tillë. Triumfuam falë mbështetjes së popullit të Kosovës dhe jashtë saj, gjakut të dëshmorëve dhe ndihmesës së NATO të prirë nga SHBA. Edhe kësaj radhe do të dalim faqebardhë, me dinjitet e krenar përjetësisht që kishim fatin ta ndërrojmë historinë nga robëria në liri”, ka shkruar ai./Llapi.info