Spanja regjistroi 510 vdekje të tjera nga koronavirusi i ri (COVID-19), duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 16.353, sipas Ministrisë spanjolle të Shëndetësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shifra paraqet një trend të vazhdueshëm në rënie të bilancit ditor të viktimave që nga arritja e kulmit prej 950 të vdekurve më shumë se një javë më parë. Numri i sotëm është më i ulëti që nga 23 marsi.
Që nga e premtja, në vend u konfirmuan 4.830 raste të tjera, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 161.852. Prej tyre, 59.109 njerëz janë shëruar.
Gjendja e jashtëzakonshme në Spanjë është zgjatur deri më 26 prill, por kryeministri Pedro Sanchez tha këtë javë se qeveria do të duhet të zgjasë masat emergjente deri të paktën më 11 maj.
Megjithatë, duke filluar nga e hëna, kufizimet do të hiqen për aktivitetet ekonomike që nuk mund të kryhen nga distanca.
Ministri spanjoll i Shëndetësisë Salvador Illa tha të premten se qeveria do të fillojë të shpërndajë maska në stacionet e autobusëve, stacionet e metrosë dhe “vendet ku përdorimi i tyre është i rekomandueshëm”, një ndryshim në qasje pasi qeveria më parë tha se maskat nuk ishin të nevojshme për publikun e gjerë.
Më vonë gjatë ditës, Sanchez pritet t’i drejtohet kombit rreth një heqjeje graduale të masave të mbylljes.
Të premten, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi për një “rishfaqje vdekjeprurëse” të virusit nëse masat e kontrollit hiqen para kohe.






