Sot është ditëlindja e heroit të kombit dhe komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti, shkruan Llapi.info.
Zahiri u lind më 1 nëntor të vitit 1962 në fshatin Turuçicë të Podujevës, ndërsa ra dëshmor më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë.
Ai u vra bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën. Zahir Pajaziti ishte një ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës.
Më 31 janar 2008, në 11 vjetorin e rënies, ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin Hero i Kosovës.
Zahiri ishte drejtuesi i njërës nga degët e mëdha të luftës, që më pas është shkrirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Duke qenë drejtues i njërës nga degët e mëdha të luftës, ai ishte njëkohësisht edhe njëri nga themeluesit e UÇK-së.
Për të shënuar këtë ditë, sot me fillim nga ora 12:00 në kompleksin që pikërisht ka emrin Zahir Pajaziti do të mbahet një koncert. Këtë koncert e kanë organizuar shoqatat e dala nga lufta.
Kurse, në ora 10:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj do të vendos kurora me lule te shtatorja e heroit./Llapi.info