Sot është ditëlindja e heroit të kombit dhe komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti, shkruan Llapi.info.
Zahiri u lind më 1 nëntor të vitit 1962 në fshatin Turuçicë të Podujevës, ndërsa ra dëshmor më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë.
Ai u vra bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën. Zahir Pajaziti ishte një ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës.
Më 31 janar 2008, në 11 vjetorin e rënies, ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin Hero i Kosovës.
Zahiri ishte drejtuesi i njërës nga degët e mëdha të luftës, që më pas është shkrirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Duke qenë drejtues i njërës nga degët e mëdha të luftës, ai ishte njëkohësisht edhe njëri nga themeluesit e UÇK-së.
Për të shënuar këtë ditë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri do të bëjë homazhe pranë varrit të heroit në Kompleksin Memorial në Orllan të Podujevës./Llapi.info