Sulmuesi i Tottenhamit, Son Heung-min do t’i ekspozohet gazit lotsjellës, do të bëjë ushtrime në zjarr dhe po ashtu do të marshojë 30 kilometra duke mbajtur çantë të rëndë, gjatë tri javëve ushtrime të forta ushtarake në Kore të Jugut këtë muaj.

Lajmin e ka bërë të ditur një zyrtar i marinës koreane për agjencinë Reuters, transmeton Koha.net.

Gjithë meshkujt me aftësi të plota fizike duhet të shërbejnë në ushtri për dy vjet në Kore të Jugut, që teknikisht është ende në luftë me Korenë e Veriut. Por, Son është përjashtuar pasi ka udhëhequr Korenë e Jugut drejt medaljes së artë në Lojërat e Azisë të vitit 2018.

Son 27-vjeçar është i obliguar të bëjë një stërvitje ushtarake vetëm për tri javë. Ai do ta përfundojë këtë derisa Premier League është pezulluar për shkak të përhapjes së koronavirusit. Më herët është njoftuar se Son do të kompletojë shërbimin e detyruar, ndërsa këtë e konfirmoi edhe klubi i tij Tottenhami të hënën.

Son, aktualisht në vetizolim, do të fillojë me stërvitjet ushtarake në marinën e Koresë së Jugut më 20 prill në ishullin Jeju, bëjnë të ditur mediumet lokale.

Një zyrtar i marinës ka thënë se Son gjatë kampit do të ketë edukim disipline, stërvitje për luftë dhe po ashtu stërvitje kimike, biologjike, radiologjike dhe nukleare, që njihen si CBRN.

Në një video në YouTube të stërvitjeve shihet një grup i ushtarëve në një dhomë gazi. Pas pak minutave ata dalin, me lotët duke i rrjedhur nga sytë, para se të derdhin ujë në kokën e tyre.

“Kjo stërvitje CBRN është zakonisht pjesa më e vështirë në kamp”, thuhet në video.

Zyrtari i marinës ka thënë se Son do të kompletojë shërbimin me një marshim 30 kilometra në grup.

“Kur përfundon shërbimin, do të jesh në gjendje të qëllosh me automatik, të marrësh frymë në gaz dhe të marrësh pjesë në luftë. Gjatë marshimit, ata që janë në shërbim të plotë ushtarak mbajnë edhe pajisje të rënda 40 kilogramë, por për ata që janë për versionin e shkurtër, pesha mund të jetë më e lehtë”, ka thënë zyrtari.

Ai ka thënë se ushtria do të kontrollojë vazhdimisht temperaturën dhe shëndetin e atyre që po shërbejnë dhe do t’u kërkohet të mbajnë edhe distancën gjatë stërvitjeve për të evituar përhapjen e koronavirusit.

Mjekët e ushtrisë po ashtu do të ofrojnë tretman për dorën e Sonit, të cilën e kishte thyer pak muaj më parë, nëse do të jetë e nevojshme.