Ole Gunnar Solskjaer ka folur pas nënshkrimit të kontratës afatgjate me Manchester Unitedin.

Klubi i madh anglez ka vendosur ta bëjë Solskjaerin trajner të përhershëm duke nënshkruar kontratë trevjeçare me të.

Kjo kontratë ka bërë që norvegjezi të ndihet i lumtur që po realizon ëndrrën e fëmijërisë, teksa ka thënë se shpreson që t’i japë tifozëve të Unitedit suksesin që meritojnë.

“Është me të vërtetë një nder i madh për mua. Mendoj se të gjithë e dinë, dhe unë kam folur në lidhje me atë në muajt e fundit, se kjo është puna e ëndrrave për çdo njeri të futbollit, veçanërisht për të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në Man United”.

“Është fantastike, pasi tani kam mundësinë të drejtoj klubin përpara, me gjithë potencialin që ka. Jam i ngazëllyer që kam mundësinë të udhëheq klubin në periudhë afatgjate”.

“Shpresoj që të jap sukses të vazhdueshëm që tifozët tanë mahnitës e meritojnë”, ka thënë trajneri norvegjez.