Florentino Perez po vazhdon të jetë shumë i interesuar për ta blerë një trajner pas shkarkimit të Julen Lopeteguit.

Mirëpo Santiago Solari tashmë ka fituar të drejtën ta udhëheqë Real Madridin deri në fund të vitit, shkruan Marca, përcjell Klan Kosova.

Forma e dobët e madrilenëve nën Lopeteguin e ka futur ekipin në një krizë për të cilën Perez po mundohet ta gjejë një zgjidhje përmes ndonjë blerje të madhe. Antonio Conte është përfolur shumë nga mediet si trajner potencial.

Në anën tjetër, trajneri i ardhur nga ekipi dytësor i Realit, Castilla, aktualisht është duke shënuar sukses me tri fitore radhazi. Dhe sfida kryesore e tij deri në fund të sezonit dimëror do të jetë mbyllja e hendekut me Barcelonën që kanë diferencë prej 7 pikësh.

Një shembull i tillë ka qenë edhe me Zinedine Zidane i cili erdhi si zëvendësues i Rafael Benitezit. Ai më pas u bë legjendë e ekipit duke fituar tri herë radhazi Ligën e Kampionëve.

Poashtu, Solari gjatë kësaj periudhe ka mundësinë ta fitojë edhe një titull tjetër me rëndësi, atë të Kupës së Botës për Klube.

Argjentinasi po e gëzon edhe përkrahjen e lojtarëve. Pas ndeshjes me Melillan, Nacho Fernandez kishte thënë se dëshiron të punojë me këtë trajner deri në fund të sezonit.

Komente të mira dha edhe Karim Benzema pas fitores së thellë me Viktoria Plzen.

“Pse të mos vazhdojë Solari deri në fund të sezonit?”, kishte bërë një pyetje retorike sulmuesi.

Ndeshja e radhës e Realit do të jetë të dielën ku do t’i shkojë në shtëpi Celta Vigos.