Në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës po mbahet mbledhja e Komisionit hetimor për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.
Derisa në komision pritet të raportojë punonjës të Qendrës për Punë Sociale në Pejë dhe kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri, dy anëtarë të komisionit janë përplasur mes vete.
Bëhet fjalë për deputetin e PDK-së, Eman Rrahmani, dhe atë të LVV-së, Armend Baloku, shkruan IndeksOnline.
Derisa Rrahmani e ka akuzuar Balokun se partia e tij e ka politizuar rastin e Arlinda Zekajt, Baloku u shpreh se Rrahmani nuk e njeh mirë punën e mazhorancës.
Fjalë pas fjale, dy deputetët kanë eskaluar debatin me akuza e kundërakuza, duke e shpërngulur vëmendjen nga rasti për të cilin janë mbledhur.
“Është figurë politike. E keni politizu këtë komision. Ka qenë kandidat për deputet, e njihni shumë mirë, mundeni me aktru”, tha Rrahmani.
Baloku reagoi duke thënë se aktrimi nënkupton veprim, ndërsa akuzoi Rrahmanin dhe rrethin e tij për mashtrim.
“Aktrimi nënkupton veprim, unë po veproj. Ndoshta ju dhe rrethi juaj jeni duke mashtruar. Dhe a është a nuk është keni pasur mundësi me hërrët. Ju bëni shoë dhe po i merrni elementet nga fusha ime”, tha ai.
Rrahmani vazhdoi përplasjen duke iu drejtuar Balokut me kritika për aktivitetin e tij.
“Rasti i rëndë jeni ju, sa që aktiviteti ja keni vënë emrin “Fara e Flliqt”, tha ai.






