Një vjedhje e rëndë ishte regjistruar në tetor të vitit të kaluar në Prizren. Ngjarja kishte ndodhur në rrugën “William Walker”, pak para mesnatës.
Robert Gjoni ishte personi i arrestuar për këtë vjedhje e cila kalonte shifrën e dëmit mbi 30 mijë euro. Gjoni nga fshati Doblibarë i Gjakovës dyshohet se kishte bashkëpunuar me motrën e tij e cila pastronte banesën e familjës viktimë të rastit.
Dyshohet se motra i kishte dhënë çelsin e banesës në momenti kur familja pronare e banesës ishte nisur për në pushime.
Para kesh në vlerë 3000 euro, stoli, ari, çanta dhe gjësende të tjera me vlerë ishin vjedhur natën e 31 tetorit. Pas gjashtë ditësh ishte bastisur shtëpia e Robert Gjonit dhe ishte arrestuar ai si i dyshuari kryesor për këtë akt të rëndë.
Para prokurorit, Gjoni e kishte pranuar veprën e bërë dhe pas dy muajsh paraburgim ai ishte liruar në arrest shtëpiak.
Dje gjykata e ka marrë vendimin për këtë vjedhje të rëndë. Gjyqtari Lavdim Makshana ka vendosur që Robert Gjoni të dënohet me vetëm 1 vit e gjysmë burgim, duke iu llogaritur edhe koha e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak. Familja viktimë e rastit ka shprehur pakënaqësinë e madhe me dënimin e djeshëm.
“Vlera e dëmit ka qenë afro 40 mijë euro dhe e tëra që gjykata ka vendosur të na jap, është çelësi i konfiskuar i banesës. Ky vendim është skandaloz ngase na është vjedhur djersa e punës për shumë vjet me radhë”, ka thënë njëri nga familjarët për rastin në fjalë.






