Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim lidhur me kërkesën e Avokatit të Popullit, duke pezulluar Ligjin e Pagave.
Vendimi është marrë pas ankesës së Avokatit të Popullit, pas 35 ankesave për këtë ligj.
Kushtetuesja ka vendosur:
TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 30 mars 2020, nga data e nxjerrjes së këtij vendimi;
II. TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin në tërësi të Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, në kohëzgjatje të njëjtë.
Kushtetuesja gjithashtu ka miratuar propozimin e Gjyqtares Raportuese që, bazuar në rregullin 55 [Amicus Curiae] të Rregullores së punës së gjykatës, të ftohet Komisioni i Venecias që të dorëzojë një Opinion lidhur me Ligjin për Pagat.
Ditë më parë Ministria e Financave kishte bërë të ditur se ishin bërë të gjitha përgatitjet për të filluar implementimi i Ligjit për Pagat në muajin dhjetor.
Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 12 dhjetor 2019, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KO 219/19; 2. KI 24/18; 3. KI 57/19 dhe 4. KI 55/19.
Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të aktvendimeve dhe të aktgjykimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):
Vendim për masë të përkohshme
Lënda: KO 219/19
Parashtrues: Avokati i Popullit
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kërkesës së Avokatit të Popullit për caktimin e masës së përkohshme përkitazi me Ligjin nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, të shpallur në Gazetën Zyrtare më 1 mars 2019, i cili hyri në fuqi nëntë (9) muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
Parashtruesi i kërkesës pretendonte se Ligji i kontestuar nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 3 [Barazia para ligjit], nenin 4 [Forma e qeverisjes dhe ndarja e pushtetit], paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], nenin 10 [Ekonomia], nenin 21 [Parimet e përgjithshme], paragrafin 1 të nenit 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare], nenin 23 [Dinjiteti i njeriut], nenin 24 [Barazia para ligjit], nenin 46 [Mbrojtja e pronës], nenin 55 [Kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore], paragrafët 3 dhe 7 të nenit 58 [Përgjegjësitë e shtetit], paragrafin 2 të nenit 102 [Parimet e përgjithshme të sistemit gjyqësor], paragrafin 1 të nenit 109 [Prokurori i shtetit], nenin 119 [Parimet e përgjithshme], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 142 [Agjencitë e pavarura], nenin 130 [Autoriteti civil i aviacionit] të Kushtetutës, me nenin 1 të Protokollit nr. 1 [Mbrojtja e pronës] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe me paragrafin 2 të nenit 23 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.
Lidhur me kërkesën për masë të përkohshme, Avokati i Popullit, duke u thirrur në dispozitat relevante të Kushtetutës, të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të Rregullores së punës së Gjykatës, kërkoi që Gjykata Kushtetuese të bëjë “pezullimin e menjëhershëm të Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik.” Avokati i Popullit gjithashtu theksoi se, ai ka pranuar gjithsej 35 ankesa individuale nga subjekte të ndryshme të sektorit publik dhe që është në “interes të ankuesve, por edhe të publikut, që Gjykata të vlerësojë nëse Ligji i kontestuar prek interesat legjitime të këtyre ankuesve.”
– Gjykata, pa paragjykim ndaj meritave të kërkesës dhe të kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, vendosi, me shumicë votash, që:
TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 30 mars 2020, nga data e nxjerrjes së këtij vendimi;
II. TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin në tërësi të Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, në kohëzgjatje të njëjtë.
Në fund, Gjykata po ashtu miratoi propozimin e Gjyqtares Raportuese që, bazuar në rregullin 55 [Amicus Curiae] të Rregullores së punës të Gjykatës, të ftohet Komisioni i Venecias që të dorëzojë një Opinion lidhur me Ligjin nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik.
Aktvendim
Lënda: KI 24/18
Parashtrues: Jadranka Šapiċ
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së përgjigjes së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të datës 8 shkurt 2018, me të cilën parashtruesja pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 24 [Barazia para ligjit], 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], 32 [E drejta për mjete juridike] dhe 46 [Mbrojtja e pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 1, të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1)(b) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.
Aktvendim
Lënda: KI 57/19
Parashtrues: Slavica Mirić
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit [AC-I-16-0238], të datës 10 janar 2019. Parashtruesja e kërkesës pretendonte se me këtë aktvendim janë shkelur të drejtat dhe liritë e saj të garantuara me nenin 21 [Parimet e përgjithshme], nenin 31 [E drejta për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm], si dhe me nenin 53 [Interpretimi i dispozitave për të drejtat e njeriut] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në mbështetje të nenit 113.7 të Kushtetutës, të nenit 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullave 32 (6), 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.
Aktvendim
Lënda: KI 55/19
Parashtrues: Ramadan Osmani
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme [PML.nr.248/18], të datës 6 nëntor 2018, në ndërlidhje me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë [PKR.nr.610/2015], të datës 21 nëntor 2017, dhe me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [PAKR.nr.91/2018], të datës 10 prill 2018. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se, me aktgjykimin e Gjykatës Supreme i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31, paragrafët 1 dhe 5, [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenin 6, paragrafi 2, [E drejta për një proces të rregullt gjyqësor] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me nenin 11 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në mbështetje të nenit 113.7 të Kushtetutës, të nenit 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullave 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.