Gjatë këtij viti është rritur ndjeshëm numri i aksidenteve në trafik. Të dhënat e Policisë së Kosovës, të cilat i ka siguruar IndeksOnline, flasin për një gjendje shqetësuese në aspektin e sigurisë në rrugë. 51 persona kanë humbur jetën vetëm gjatë këtij viti në 43 aksidente fatale të regjistruara.

Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore dhe kushtetuese është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit.

Një prej objektivave parësore për Policinë e Kosovës është edhe ofrimin i sigurisë rrugore për pjesëmarrësit në trafik dhe parandalimi i aksidenteve, andaj sipas planifikimeve operacionale, parashihen aktivitete të shtuara me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të rritet siguria në trafik.

Për periudhën kohore janar-qershor 2021, kanë ndodhur 43 aksidente fatale dhe kanë humbur jetën 51 persona, andaj Policia e Kosovës do të vazhdojë të rris prezencës policore në trafik si dhe ndërmarrjen e masave ndëshkuese ndaj të gjithë kundërvajtësve, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë shqiptuar 1.713 gjoba.

Veç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës në vazhdimësi APELON te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike.