Situatë e rënduar është paraqitur javën e fundit me gripin sezonal në Podujevë, raporton Llapi.info.
Burime të Llapi.info bëjnë të ditur se mijëra pacientë kanë kërkuar shërbime mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në Emergjencën e Podujevës.
Këto qendra mjekësore janë përballur me fluks të madh të pacientëve brenda ditës. Dëshmitarët i kanë thënë portalit se disa prej tyre kanë qenë në gjendje më të rënduar, të paraqitura në orët e vona të natës.
Siç ka mësuar tutje Llapi.info, si pasojë e gripit, edhe në shkolla ka mungesë të mëdha të nxënësve. Madje, nëpër klasa ka pasur raste që kanë qenë vetëm 5-6 nxënës.
Pikërisht për këtë është kërkuar që mësimi të përfundojë më herët për shkak të këtij gripi. Këtë kërkesë e ka bërë drejtori i gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, Liridon Mulliqi.
Sipas tij, ka 2-3 javë që për shkak të gripit po përballen me mungesa të shumta të nxënësve dhe mësimdhënësve.
“Po vërehet se po ka mungesa të konsiderueshme të nxënësve nëpër klasë. Ka nxënës që vinë i mbajnë 1-2 orë dhe kur shohim se janë në një gjendje jo të mirë shëndetësore, na duhet t’i lirojmë prej procesit mësimor. Në disa raste na është dashtë me e thirr edhe ambulancën dhe ndihmën prej Qendrës së Mjekësisë Familjare këtu në Podujevë”, ka thënë drejtori Mulliqi.
Ndërkohë, simptomat e gripit sezonal janë kollitja, temperatura, djersitja, dhimbja e gjoksit gjatë kollitjes edhe një dhimbje e fytit./Llapi.info






