Situata e sigurisë në Komunën e Podujevës është vlerësuar e qetë dhe stabile. Ky vlerësim u dha nga përfaqësuesit e Policisë, KFOR-it dhe FSK-së gjatë mbledhjes së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, të cilën e kryesoi kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi.
Pikë e parë e rendit të ditës ishte raporti i Policisë së Kosovës për gjendjen e sigurisë në komunë. Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, Bashkim Bajrami, gjatë raportimit tha se situata në Komunën e Podujevës është e qetë dhe stabile.
Gjatë këtij raportimi, komandanti Bajrami shpalosi në mënyrë statistikore të gjitha rastet që kanë ndodhur gjatë periudhës janar-mars 2026 në Komunën e Podujevës, qoftë të vjedhjeve, dhunës në familje, rasteve në trafik, çështjet që lidhen me sigurinë në shkolla, duke përmendur edhe rastin e vrasjes së trefishtë që ndodhi në fshatin Majac në muajin mars.
Ai përmendi implementimin e planeve dhe strategjive të Policisë së Kosovës që ndikojnë për të pasur një situatë të qetë dhe stabile.
Për situatën e sigurisë folën edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së, ku gjatë informatave të tyre thanë se gjendja e sigurisë është e qetë. Përfaqësuesi i KFOR-it foli edhe për bashkëpunimin e mirë që kanë me institucionin e Komunës.
Në pikën e dytë u miratua ngritja e Grupit punës për përgatitjen e propozimit të Planit të punës për vitin 2026.






