Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, për caktimin e paraburgimit ndaj pesë policëve të përfshirë në rastin e vdekjes së Agon Zejnullahut.
Përmes një njoftimi, Apeli ka bërë të ditur se janë aprovuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurve I.N., A.R., A.K., L.Rr. dhe E.B., dhe se rasti është kthyer në rigjykim.
Për rastin ka reaguar edhe avokati Besnik Berisha.
“Realisht, ka qenë një nga vendimet më të turpshme që kanë nënshkruar, ndonjëherë në karrierën time,” deklaroi Berisha, duke theksuar se Apeli e ka konfirmuar pikë për pikë në gjuhën juridike atë që ai dhe pesë kolegë të tij kishin parashtruar në ankesë.
Sipas tij, pesë zyrtarët policorë po mbahen padrejtësisht në paraburgim për një çështje që, siç u shpreh ai, “nuk ka ndodhur as si faj i tyre, as me ndonjë kontribut të tyre dhe as si rezultat i shkaktuar nga ta”.
Ai shtoi se Gjykata e Apelit ka konstatuar qartë se në rast ka pasur shkelje të natyrës thelbësore.
“Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesat tona dhe ka konstatuar se ka shkelje dhe mangësi të natyrës esenciale”, theksoi Berisha në Dukagjin.