Sindikata e Arsimit fillor dhe të mesëm e Komunës së Podujevës ka shpërndarë 500 karrige të dhuruara nga Qendra e Studentëve të Prishtinës, njofton Llapi.info
Nga ky donacion i përdorshëm më parë në konviktet e studentëve, kanë përfituar 2 shkolla të mesme të qytetit dhe 3 shkolla fillore si SHMT “Fan S. Noli” 70 karrige, SHME “Isa Boletini” 60 sosh, si dhe SHFMU “Enver Maloku” 250, “Xheladin Rekaliu” 60 e SHFMU “Luigj Gurakuqi” në Batllavë me 60 sosh.
Ky donacion ka pasuar pas një kërkese që i kishte bërë SAF SAM në Podujevë, Qendrës së Studentëve në Prishtinë. Këto shkolla kanë pasur mungesë të karrigeve sikurse që edhe tash kanë mungesë të inventarit tjetër shkollor siç janë bankat dhe tabelat, të cilat janë shumë të dëmtuara pasi me vite të tëra nuk janë ndërruar nga institucioni përkatës MASHT.
Ky donacion ndonëse modest sado pak ka lehtësuar zhvillimin e procesit mësimor në këto shkolla. Me këtë rast, kryetari i Sindikatës së Arsimit Fillor e të Mesëm të Podujevës, Fadil Halimi, ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Qendrës së studentëve në Prishtinë, Fatmir Sfishtën./Llapi.info






