Lokale - eSIMy

Kryetari i Sindikatës së Arsimit në Podujevë, Fadil Halimi, ka reaguar pas komunikatës së përbashkët të Drejtorisë së Arsimit dhe Këshillit të Prindërve që nesër të nis mësimi në shkollat e kësaj komune, shkruan Llapi.info.

Në një postim në Facebook, Halimi ka thënë se greva do të vazhdojë, ndërkohë që ka shtuar se tekstet shkollore do t’iu shpërndahen nxënësve.

Postimi i tij plotë:

Greva vazhdon – tekstet shkollore t`ju shpërndahen nxënësve

Pavarësisht thirrjes së përbashkët të Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe Këshillit të Prindërve të Podujevës për të filluar nesër mësimi, mësimdhënës të nderuar ju njoftoj se greva nuk është mbyllur, kurse tekstet shkollore mund t`ju shpërndahen nxënësve.

Kjo thirrje pason pas një mbledhje të Drejtorisë Komunale të Arsimit me Këshillin e Drejtorëve të Shkollave Fillore dhe të Mesme të komunës sonë.

Kërkoj nga mësimdhënësit që në këtë situatë të re të qëndrojnë në vendet e tyre të punës sikur deri më tash dhe të mos bien pre e ndonjë provokimi të mundshëm.

Sindikata e Arsimit në Podujevë nuk ka penguar asnjë mësues që të nis procesin mësimor, përkundrazi grevës i janë përgjigjur të gjithë punonjësit e shkollave fillore, të mesme dhe të çerdhes.

Fadil Halimi,

kryetar i Sindikatës së arsimit në Podujevë