Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka filluar vaksinimin e kafshëve të llojit të gjedhit, për të parandaluar shfaqjen e sëmundjes gungore të lëkurës, ka bërë të ditur zëdhënësi i saj, Lamir Thaçi. Ai tha se deri më tani nuk është paraqitur asnjë rast me këtë sëmundje, derisa shtoi se vaksinimi për rreth 170 mijë kafshë do të përfundojë brenda 5 javëve.

Asnjë rast i kafshëve me sëmundjen gungore të lëkurës në lopë nuk është paraqitur gjatë këtij viti në Kosovë, ka bërë të ditur zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, raporton televizioni publik.

Megjithatë, për ta parandaluar një gjë të tillë, kjo agjenci e ka filluar vaksinimin e kafshëve të llojit të gjedhit në gjithë vendin.

Lamir Thaçi tha se përmes një donacioni nga Komisioni Evropian janë siguruar dozat për vaksinimin e të gjitha kafshëve të llojit të gjedhit të regjistruara në Kosovë.

“Afërsisht 170 mijë krerë dhe të gjitha do të vaksinohen. Ne shpresojmë që brenda muajit, mund të them një muaj ose 5 javë, është paraparë që të kryhet vaksinimi në gjithë territorin e Kosovës, vetëm nëse kemi ndonjë problem qoftë kushte klimatike ose të tjera. Përndryshe ne i ftojmë veterinerët që të jenë bashkëpunues me veterinarë.”

Thaçi tha se vaksinimi është i obligueshëm dhe fermerët nuk kanë nevojë të paraqesin kërkesë për këtë, pasi Agjencia e Veterinarisë i ka të regjistruara të gjitha kafshët. Sivjet është viti i tretë i vaksinimit të kafshëve kundër sëmundjes gungore të lëkurës.