Në mungesë të akuzuarve Bajram Gërbeshi, Pajtim Gërbeshi dhe Mentor Osmani ka dështuar shqyrtimi gjyqësor ndaj tyre për rrëmbim të personit dhe dhënia e ndihmës për kryerjen e veprës penale të rrëmbimit.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi, konstatoi se të akuzuarit janë ftuar në mënyrë të rregullt mirëpo të njëjtët në seancën e sotme nuk janë paraqitur, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Foniqi ka thënë se i akuzuari Pajtim përmes telefonit ka njoftuar se i akuzuari Mentor Osmani ka rast vdekje dhe se i njëjti kishte pyetur se a duhet të paraqitet në seancë së bashku me të akuzuarin Bajram.
Me ç’rast gjykatësi tha se të akuzuarit Pajtim i ishte komunikuar që të mos vijnë, pasi që shqyrtimi gjyqësor nuk mund të vazhdojë pa praninë e të akuzuarit Osmani.
Seanca e radhës u caktua më 17 maj 2022.
Ndryshe, lënda është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, sipas vendimit, ndaj të akuzuarve Bajram Gërbeshi, Pajtim Gërbeshi dhe Mentor Osmani është anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 19 qershor 2012, Bajram Gërbeshi, Pajtim Gërbeshi dhe Mentor Osmani ngarkohen se më 12 prill 2012, afër Postës në Lipjan për shkak të një borxhi në shumën prej 1 mijë e 300 euro, kanë rrëmbyer tani të dëmtuarin Ardian Gajtani.
Në aktakuzë thuhet se derisa i akuzuari Pajtim ishte në veturën e tipit “Golf II”, të cilën e ka drejtuar i akuzuari Mentor në atë moment që e kanë vërejtur të dëmtuarin Ardian e kanë ndalur veturën dhe i akuzuari Pajtim e ka detyruar të njëjtin që të hipë në veturë dhe e kanë dërguar në autoservisin “Bashkimi”, në të cilën vend ka edhe babi i të akuzuarit Pajtim, Bajram Gërbeshi.
Siç thuhet në aktakuzë të akuzuarit Bajram dhe Pajtim Gërbeshi me forcë e kanë futur të dëmtuarin Ardian, në bagazhin e veturës “Mercedes” dhe e kanë mbajtur të mbyllur rreth 15 minuta dhe se i njëjti gjatë qëndrimit në bagazhin e veturës nga mungesa e oksigjenit ka filluar që të kthejë, në të cilat momente të akuzuarit Bajram dhe Pajtim e kanë hapur bagazhin e veturës.
Tutje në aktakuzë thuhet se pasi e kanë hapur bagazhin eveturës të dëmtuarit ia kanë dhënë telefonin që të bisedojë me babin e tij dhe ti tregoj arsyejet e rrëmbimit, pastaj i pandehuri Bajram dakordohet me babin e të dëmtuarit , Sherifin që në afat prej 3 dite të ia kthejë borxhin, në shumë prej 1 mijë e 300 euro, pastaj e kanë liruar edhe të dëmtuarin.
Me këtë të akuzuarit Bajram dhe Pajtim Gërbeshi po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrëmbim i personit” nga neni 159 par 1 lidhur me nenin 23 të KPK-së, ndërsa i pandehuri Mentor Osmani ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës për kryerjen e veprës penale të rrëmbimit”, nga neni 25 lidhur me nenin 159 par. 1 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.






