Njolla gjaku ende shihen në rrugën ‘Haxhi Zharku’ të Rahovecit. Aty një natë më parë ndodhi një ngjarje që më shumë i ngjason filmave se sa një realiteti.
15 anëtarët e familjes Neziri në një rrahje kolektive u bën ‘llom’ me njëri tjetrin. U përdorën shufra hekuri e gjësende të tjera. E gjithë kjo për disa metra tokë. Katër persona përfunduan në spital. Ndërkohë policia ka arrestuar tashmë shtatë persona të kësaj familjeje. Express ju sjellë rrëfimin nga Rahoveci e Gjakova për këtë rast.
Shtëpitë nuk i kanë as pesë metra larg nga njëra tjetra. Por, brenda oborrit të familjes Neziri ka shumw probleme. Vëllezërit e kësaj familje nuk po mund të bien dakord për një metër tokë.
Lagjia ‘Haxhi Zharku-Rahovec ku ka ndodhur rrahja
Mexha doli të jetë problemi kryesor në të cilin u përfshinë në rrahje mbrëmë pas darke hiç me pak se 15 anëtarë të familjes së ngushtë me mbiemrin Neziri në Rahovec. Me shufra hekuri në rrahje dikur asistuan edhe gratë e kësaj familje.
U desh që të ndërhyjë policia që ta qetësojë situatën.
Gazeta Express, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Rahovec, aty ku ka marrë rrëfimet e familjes Neziri për këtë ngjarje. Kryefamiljari Xhemë Neziri ka shpjeguar për ekipin e gazetës se e gjithë kjo rrahje ka filluar për një metër tokë e cila gjendet jashtë shtëpisë së dy vëllezërve, pra në rrugë e për të cilën njëri nga vëllezërit po pretendon se i takon atij.
“Ka shku vëllai me i rregullu dhëmbët te mjeku. Djemtë tjerë të vëllait tjetër e kanë sulmu. Ai nuk ka ditë asgjë. E kanë rreh. Pastaj ne kemi shku me e pa vëllain. Ata pastaj kanë ardhë këtu tek ne. Kanë pasë shipka. Me gra me fëmijë e me krejt na kanë sulmu djemtë e vëllait. Krejt kjo derisa ka ardhur policia. Për mexh ka nisë gjithçka”, thotë Xhemë Neziri.
Por ku, sipas tij, e ka fillin e gjithë kësaj ngjarje e rëndë?
“Ai e ka mashtru babën për hise. Ka hy në këtë shpinë afër nesh. Vëllai që po bën probleme i ka 70 vite. Ne këto probleme i kemi që 50 vite. Ne këtu më vëllain tjetër i kemi gjashtë shpi. Ai tash( vëllai 70 vjeçar), ka ardhur këtu te dera jonë edhe ka thanë këtu nuk mund të kaloni me traktor”, tregon Xhemë Neziri i cili u lëndua mbrëmë nga rrahja.
Ai shpjegoi se vëllai ti Sokoli i kishte thënë atyre se do t’ia bllokojë rrugën dhe se andej mund të kalojnë vetëm në këmbë.
“….vec në kam mundeni me dal. Se i ki 2 metra e 20 cantin me kalu. Unë në polici kam qenë që gati 10 vite. Familja jonë merremi me bujqësi. Mbramë në përleshje janë përfshi me gra me djem, të gjithë të gatshme kanë qenë. Gratë e familjes së vëllait i kanë sulmua djemtë e mi. Të gjithë kemi qenë në spital. Unë jam me stente. Kur kam ardhë këtu te përleshja, më kanë goditë bash në gjoks ku e kam stentën. Kam qenë në spital, kam ba kontrolle. Djemtë e mi tash janë në burg”, shpjegon ai.
Express ka tentuar që të marrë deklaratë edhe nga familja tjetër Neziri, mirëpo ata nuk kanë qenë të qasshëm.
E mjeku kujdestar i spitalit ‘Isa Grezda’ në Gjakovë, Arian Karkaushi
i tha Expressit se në spital për momentin i kanë tre pacientë të kësaj familje të cilët po trajtohen. Ai tha se ata kanë pasur lëndime në kokë, fytyrë e trup.
“Gjendja shëndetësore është stabile. Ka lëndime në fytyrë, kokë dhe trupë. Kanë pasur edhe plagë të cilat janë trajtuar nga ekipi i mjekëve që kanë qenë në detyrë. Gjithsejtë dje na kanë ardhur pesë pacientë, mirëpo dy janë lëshuar për në shtëpi.”, ka deklaruar mjeku.
Ndërkohë, policia e Kosovës, tashmë po i vazhdon hetimet lidhur me këtë rast. Shtatë persona tashmë janë ndaluar.
Kështu i tha Expressit zëdhënësja e policisë së Gjakovës, Lirije Podrimja.
“Me të marrë informacionin, policia e Rahovecit menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka mbledhur provat relevante. Kanë shkuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare ku kanë takuar edhe personat e involvuar në këtë rast. Incidenti ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshje rreth pronës. Policia ka shoqëruar në stacionin policor. Shtatë persona janë në ndalim policor”, ka thënë ajo.
Miegjithëkëtë në Kosovë rrahjet për shkaqe pronësore janë të shpeshta, shumë nga konfliktet fizike përfundojnë edhe me të vrarë.
Rasti i fundit ndodhi në lagjen Mati 1 ku mbetën të vrarë tre persona, pjesëtarë të familjes Rafuna e Mehmeti. E muajin e kaluar edhe në Lipjan u vranë dajë e nip për motive pronësore.