91 kilogramë drogë të llojit marihuanë, katër vetura dhe qindra euro ishin konfiskuar në një aksion të zhvilluar nga Policia e Kosovës në fshatin Konushec të Podujevës, raporton Llapi.info.
Rasti kishte ndodhur rreth orës 21:00 në shkurt të këtij viti, ku sot Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar edhe dy persona të dyshuar.
“Policia e Kosovës, më 09.02.2022, pas hetimeve paraprake nga hetuesit e antidrogës, kishte arritur të gjejë dhe konfiskojë 34 paketime me mbi 90 kg substancë narkotike që dyshohej të ishte marihuanë. Lidhur me këtë rast policia kishte arritur të arrestojë një të dyshuar, kurse një tjetër (M.Q.), kishte arritur të arratisej. Hetimet lidhur me këtë rast kanë qenë duke vazhduar për afro një muaj. Dje më, 11.03.2022, hetuesit policorë nga Drejtorisë për Hetim e Trafikimit me Narkotikë-Prizren, kanë realizuar një operacion policorë ku janë kontrolluar dy lokacione. Policia ka arritur të lokalizojnë dhe të arrestojnë të dyshuarit: M.Q., (viti i lindjes 1976, mashkull kosovar) dhe A.Sh., (viti i lindjes 1978, mashkull kosovar). Tek i dyshuari A.Sh., policia dje ka arritur të gjejë edhe rreth 395 gr substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë dhe dëshmi tjera relevante për rastin. Rreth arrestimit të të dyshuarve është njoftuar Prokuroria Themelore për Krime të Rënda-Prizren. Pas intervistimit të të dyshuarve, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe anologe’ dhe me aktvendim nga prokurori, ata janë ndalur në mbajtje deri në 48 orë”, thuhet në komunikatë.
Por, si kishte ndodhur ngjarja?
Rasti kishte ndodhur rreth orës 21:00 minuta, në shkurt të këtij viti, në fshatin Konushefc, Komuna e Podujevës, pati thënë prokuroria në një komunikatë për medie.
“Të pandehurit M.Q., dhe F.M., në cilësi të bashkëkryerësve, së bashku me dy persona të tjerë për momentin të panjohur, pa autorizim kanë shpërndarë dhe transportuar substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge me qëllim të shitjes, shpërndarjes dhe ofrimit për shitje. Në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri M.Q., ka komunikuar me telefon me të pandehurin F.M., në automjetin e tij Audi A8, me targa të Gjermanisë, ka ngarkuar substancën narkotike të llojit “Marihuanë” në sasi të madhe me peshë prej 91 kilogram e 548 gram, dhe është nisur në drejtim të fshatit Konushefc të Komunës së Podujevës, dhe me të ardhur në atë fshat ka hyrë në shtëpinë e të pandehurit F.M., ku i ka nxjerrë çantat në të cilat e kishte vendosur sasinë e marihuanës për ta vendosur në autobusin e linjës së rregullt Kosovë-Austri pronë e të pandehurit F.M”, thuhej në komunikatën e prokurorisë.
Tutje në komunikatë thuhej se pastaj sërish këto çanta me “Marihuanë” i dyshuari i vendos në automjetin e tij dhe niset në drejtim të Podujevës, kështu i pandehuri F.M., me automjetin e tij të tipit Golf IV me targa të Austrisë, ia siguron rrugën.
“I pandehuri M.Q., në momentin kur i vëren zyrtarët policor fillimisht përdor forcë duke e goditur me automjetin e tij veturën zyrtare të policisë, me rastin e kthimit mbrapa me automjet e godet zyrtarin policor dhe përdor armë zjarri duke shtënë në drejtim të zyrtarëve policor. Sipas prokurorisë, me këto veprime, në cilësinë e bashkëkryerësve, të dyshuarit kishin për ta kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, thuhej tutje./Llapi.info






