Lokale - eSIMy

Është vështirësuar qarkullimi në disa pjesë të Komunës së Podujevës, pas reshjeve të vazhdueshme të borës, shkruan Llapi.info.

Në një prononcim për Llapi.info, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia ka thënë se dy kompani, sipas tij, janë në terren për pastrimin e rrugëve dhe trotuareve nga bora.

“Të dy kompanitë e kontraktuara nga Komuna vazhdimisht me krejt kapacitetin janë duke punuar në terren në hapje të rrugëve. Por, meqë po ka reshje të borës pandalur po vështirësohet menaxhimi. Nuk kemi informacione për ndonjë bllokadë. Prioritet në hapje të rrugëve po kanë familjet që kanë të sëmurë, me aftësi të kufizuar, prioritet që të intervenohet më shpejtë”, ka thënë ai.

Komuna e Podujevës ka kontraktuar dy kompani për largimin e borës nga rrugët dhe trotuaret në këtë rajon. Veçse atyre punën ua vështirësuan reshjet e pandërprera të borës, e që të cilat nisën që nga mbrëmë.

Fort të kënaqur me punën e tyre nuk janë qytetarët llapjanë, të cilët janë ankuar për gjendjen e rrugëve në këto temperatura të ulëta. Kështu ka thënë edhe një banor i fshatit Bradash, i cili ka dërguar pamje në Llapi.info.

Ndërkaq Policia gjatë ditës së hënë ka kërkuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar.

“Kujdesi maksimal në trafik, veçanërisht i drejtuesve të automjeteve, është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet”, thotë Policia e Kosovës.

Policia me njësitet e saj po ndërmerr masa ndaj atyre që bien ndesh me ligjin, me qëllim të reduktimit të numrit të aksidenteve dhe krijimin e një sigurie më të madhe në rrugë./Llapi.info