Reshjet e borës kanë krijuar vështirësi qarkullimi në disa rrugë të Komunës së Podujevës, shkruan Llapi.info.
Përkundër kësaj, nga Komuna e Podujevës kanë thënë se gjendja është nën kontroll, ndërkohë që, sipas komunarëve, kompanitë e kontraktuara janë terren.
Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka thënë se intervenimit aktualisht po bëhen në akset rrugore, ku qarkullimi është më i madh.
“Situata në teren është e menaxhueshme, komuna përmes kompanive që i ka të kontraktuara për pastrimin e rrugëve nga bora janë duke punuar me kapacitete të plota. Meqenëse reshjet janë të vazhdueshme kjo po e vështirëson punën tonë, por gjendja është nën kontroll dhe intervenimet e para po bëhen në zonat ku ka frekuentim dhe qarkullim më të madh të qytetarëve. Pasi t’i përfundojnë rrugët që janë duke i pastruar kompanitë e kontraktuara do të vazhdojnë të intervenojnë edhe në zonat më me pak banorë dhe zona më të thella malore”, është shprehur Zhitia.
Edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se të gjitha rrugët në Kosovë janë të qarkullueshme.
“Sipas informacioneve nga terreni nga menaxheret e mirëmbajtjes së rrugëve, gjendja e rrugëve në vendin tonë është e mirë, të gjitha rrugët janë të qarkullueshme për komunikacionin e automjeteve. Pas reshjeve të borës kompanitë e kontraktuara nga ana e MMPHI-së, kanë intervenuar me pastrim të borës dhe hudhje të kripës në shtresat qarkulluese për shkak të sigurisë në komunikacion gjatë tërë kohës”, thuhet pos tjerash në komunikatën e MI-së./Llapi.info






