Para dy ditësh, një kompani britanike njoftoi se ka fituar licencë për kërkimin e arit, bakrit dhe mineraleve tjera në një fshat të Podujevës. Licencën e lëshoi Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale. Si u mor licenca dhe çka thonë se fiton vendi nga lejimi i kërkimit të arit nga kompania britanike? Flasin KPMM-ja, si dhe drejtori menaxhues i degës së Western Tethyan Resources në Kosovë, – Kosovo Minerals Resources – Mentor Demi.

Në njoftimin e lëshuar nga kompania Western Tethyan Resources thuhet se Qeveria e Kosovës ua ka lëshuar licencën, ndërsa janë në pritje edhe për lëshimin e tri licencave tjera nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Drejtori menaxhues i Kosovo Minerals Resources, Mentor Demi, ka thënë se licencën kjo kompani e ka marrë nga Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve, gjë që e ka konfirmuar edhe vetë KPMM.

Sali Mulaj nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, kur është pyetur për kompaninë britanike, ka treguar se si jepen proceduralisht rëndom licencat.

“Për të gjitha aplikacionet KPMM-ja brenda dy (2) muajve nga pranimi i kërkesës së plotë për Licencën e shfrytëzimit nga një aplikues i kualifikuar, KPMM-ja ose do ta lëshojë Licencën në fjalë ose ti dërgojë aplikuesit vendimin e KPMM-së për refuzimin e licencës për shfrytëzim, një shpjegim me shkrim mbi arsyet për marrjen e këtij vendimi, dhe një njoftim me shkrim me anë të te cilit njoftohet aplikuesi i kërkesës mbi të drejtën e tij për ankesë dhe shqyrtim gjyqësor të vendimit”, tha Mulaj.

“Shpenzimet e kompanisë Kosovo Mineral Resources mbulohen nga kompania amë, e cila kompani ka partneritet me kompaninë më të madhe në botë të minierave të arit, Neëmont Corporation si dhe ka partneritet me një kompani tjetër juniore të minierave të arit, Ariana Resources”, tregon tutje ai.

Drejtori menaxhues i Kosovo Minerals Resources tha se nuk dihet saktësisht se sa do të zgjasë procesi i kërkimit të mineraleve, mirëpo “sipas legjislacionit të Kosovës” janë të obliguar që brenda 10 vjetëve t’i përfundojnë programet hulumtuese dhe t’i konvertojnë në eksploatuese.

Demi tha se shumë pak dihet për potencialin ari-bakër në Kosovë, por pozita gjeologjike është e favorshme.

“Sidoqoftë pozita gjeologjike dhe strukturore e Kosovës është shumë e favorshme edhe për llojet e ndryshme të depozitave të arit dhe bakrit”, deklaroi Demi për Express.

Kosovo Minerals Resources ka tri licenca hulumtuese në Kosovë, ndërsa po pret edhe tri licenca për në Podujevë, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Kush do ta mbikëqyrë punën e kompanisë?

Nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale i kanë thënë Expressit që pas licencimit, Inspektorati dhe departamenti i Gjeologjisë në KPMM e mbikëqyr aktivitetin e ndërmarrjes.

“Ndërmarrjet raportojnë në KPMM- në baza vjetore, vlerësimin e raportit vjetor e bënë departamenti i gjeologjisë – KPMM”, ka thënë Sali Mulaj nga KPMM.

Mulaj i tha Expressit që nëse ndërmarrja gjatë hulumtimit gjen lëndë për të cilat licencohet, është çështje e ndërmarrjes për gjetjen e tregut dhe shitjen e produktit

“Nëse ndërmarrja gjate hulumtimit gjen lëndën minerale për të cilën licencohet, është çështje e ndërmarrjes për gjetjen e tregut dhe shitjen e produktit, që do të thotë mund të jetë në Kosovë dhe në vende të tjera”, u shpreh Mulaj.

Njëjtë ka thënë edhe Mentor Demi.

Ai deklaroi se punët hulumtuese dhe zhvilluese do të monitorohen nga KPMM, ndërsa tha se në rast të suksesit, kompania në fjalë do të bëjë edhe eksploatimin e mineraleve të zbuluara.

Çka përfiton Kosova nga kjo, sipas kompanisë që u licensua?

Nga ky proces Kosova do të përfitojë për shkak që pritet të “rritet numri i të punësuarve”, thotë drejtori menaxhues i Kosovo Minerals Resources.

“Së pari rritet punësimi. Përafërsisht gjashtë persona punësohen indirekt nga një i punësuar direkt në industrinë minerare. Së dyti rriten pagesat e taksave dhe të mirat e komunitetit. 5% e fitimit të kompanive minerare shkon në buxhet të shtetit si tantiem. Pastaj 20% e 5%-shit qeveria e dërgon mbrapa në komunitetin e zonës ku kryhet eksploatimi. Së treti, rriten rezervat shtetërore. Nëse miniera të metaleve të çmueshme zhvillohen në Kosovë, ose edhe të të tjerave, Banka e Kosovës mund t’i blej këto metale. Në kushte të krizave ekonomike, sociale dhe shëndetësore, metalet sikur ari janë monedhat më të sigurta dhe më të vlefshme”, tha Demi.

Pak a shumë, këto “të mira” i thekson edhe Mulaj nga KPMM-ja.

“Përfitimet e Kosovës, janë direkte dhe indirekte; Direkte: Vjelja e taksave të ndryshme dhe pagesa e rentës minerale, hapja e vendeve të punës. Indirekte: Nëse lënda minerale përpunohet në Kosovë, hapja fabrikave apo shkritoreve, dhe punësimi shumëfishohet, e tera kjo e rritë mirëqenien sociale në vend dhe e zvogëlon papunësinë”, tha Mulaj për Express.