Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, lidhur me mënyrën e votimit nga qytetarët e prekur me Covid-19, në zgjedhjet për Komunën e Podujevës dhe Mitrovicës Veriore.

Kjo çështje është diskuar edhe në mbledhjen e KQZ-së, të mbajtur të enjten. Anëtarët e KQZ-së, kërkuan që se cilit qytetar me të drejtë vote t’i krijohen kushtet për të votuar.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, e parashtroi si nevojë këtë çështje, duke thënë se KQZ-ja duhet t’i japë përgjigje kësaj çështjeje.

“Si përfaqësues i PDK-së dua ta parashtroj si çështje. Ne si KQZ duhet t’i japim përgjigje gjithë qytetarëve, meqenëse jemi në fillim të zgjedhjeve në Podujevë dhe Mitrovicë veriore”, tha ai.

“Duke marrë parasysh se kemi numrin e madh të të infektuarve me COVID-19, duhet të ndryshojmë datën e regjistrimit të personave të ngujuar në shtëpi, pasi që data 6 nëntor si datë e fundit e përcaktuar për regjistrimin e personave të ngujuar në shtëpi dhe për të ngujuarit me COVID-19. Andaj propozoj që të gjithë të infektuarit deri më 26 nëntor si datë afër zgjedhjeve, t’iu mundësohet votimi përmes ekipeve mobile, duke respektuar rekomandimet e IKSHPK-së”, tha Elshani.

Njëjtë si Elshani, u shpreh edhe kolegu i tij nga VV-ja, Sami Kurteshi. Ai tha se KQZ-ja duhet t’iu ofrojë zgjidhje votuesve.

“KQZ e ka atë mundësinë, deri më 29 nëntor kur mbyllet vendvotimet ata duhet t’iu mundësohet votimi. Secili qytetarë duhet t’ju japim të drejtë të votojnë, madje edhe atyre që ngujohen në datë 28 dhe 29 nëntor”.

E vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me anulimin e vendimit të KQZ-së për mosregjistrim të partisë turke, Yenilikçi Türk Hareket Partisi” (YTHP), përplasi Sami Kurteshin e VV-së dhe Rifat Krasniç nga KDTP. Ky i fundit po shprehet kundër regjistrimit të kësaj partie, ndërsa Kurteshi dhe të tjerët votuan pro saj.

Krasniqi tha se kjo parti ka manipuluar me nënshkrimet e qytetarëve, duke thëna se nuk i mbron as interesat e turqve në Kosovë.

Krejt në fund, kryetarja e KQZ, Valdete Daka tha se do t’i kërkojnë IKShPK-së raport shtesë për personat që janë të infektuar me COVID-19.