Katër shqiptarë u zgjedhën në mesin e 100 personave që kanë zënë vend në Këshillin e Madh të Parlamentit të Kantonit të Gjenevës, pas mbajtjes së zgjedhjeve për Këshillin e Madh të Parlamentit dhe për ekzekutivin e Kantonit të Gjenevës me 2 prill 2023.
Ky numër prej katër emrash e mbiemrash shqiptarë është mjaft i madh.
Njëri nga të përzgjedhurit është politikani nga Partia Socialiste PS, Leonard Ferati i cili ka deklaruar se këto zgjedhje janë rezultat i punës në terren që po zhvillohet prej disa vitesh.
“Do të doja të përfitoja nga ky deklarim për të shprehur mirënjohjen time për ata që morën mundimin të votonin për mua, veçanërisht familjen dhe miqtë e mi”, tha politikani Leonard Ferati.
Edhe politikania shqiptare, Xhevrie Osmani ka fituar një mandat si deputete në Parlamentin e Kantonit të Gjenevës (Këshilli i Madh i Kantonit) në zgjedhjet e 2 prillit 2023 në këtë kanton zviceran.
Duke qenë politikania e dytë me rrënjë shqiptare që ka fituar ulëse në Kuvendin e Kantonit, pas Leonard Feratit, meritor për këtë mbase janë bashkatdhetarët, e të cilët i kanë dhënë përkrahje në garën elektorale kandidatëve me emra shqiptarë.
Osmani është me rrënjë nga Gjilani i Kosovës, e cila migroi së bashku me prindërit e saj në Gjenevë të Zvicrës, qysh si fëmijë. Ajo, në këtë qytet të njohur të diplomacisë ndërkombëtare përfundoi me sukses të gjitha nivelet e shkollimit.
Përkushtimi i saj në punë u kurorëzua me diplomim në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit shtetëror të Gjenevës. Osmani vlerësohet të ketë qenë e suksesshme si këshilltare në komunën Meyrin të Gjenevës.
Befasi e këtyre zgjedhjeve janë dhe dy emrat e zgjedhur shqiptarë në lëvizjen e djathtë populiste MCG (Mouvement Citoyen Genevois – Lëvizja Qytetare Gjenevase).
Bëhet fjalë për Skender Salihin dhe Arber Jahja, të cilët vijnë për herë të parë në këtë pozitë.
Ndryshe, 13 kandidatë me origjinë shqiptare kishin konkurruar në zgjedhjet kantonale për deputetë për këshillin e madh të Gjenevës (Grand Conseill).