Në Kosovë sot u protestua kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Protesta e sotme nuk kaloi pa tensione në momentin kur protestuesit i janë afruar afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke u përplasur kështu edhe me Policinë e Kosovës.

Një përplasje me policinë e Kosovës kishte edhe kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj i cili më pas u lejua të mbajë fjalim në shkallët e ndërtesës së Qeverisë, pas tërheqjes së policisë.

Në disa pamje të publikuara, Molliqaj shihet duke goditur shuplakë një nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se është duke iniciuar hetim ndaj Molliqajt, për goditjen që i dha një zyrtari policor gjatë protestës së sotme.

Në një njoftim nga PK-ja theksohet se disa nga pjesmarrësit kanë shpërfillur urdhërat e zyrtarëve policorë, të cilët përtej hudhjes së gjësendeve të ndryshme, me veprimet dhe sjelljet e tyre u kanë shkakuar lëndime të lehta tre zyrtarëve policorë që ishin në kryerje të detyrës zyrtare.

“Aktualisht policia po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen përderisa po koordinon veprimet me mekanizmat e tjerë për zbatim të ligjit, duke iniciuar edhe një hetim për rastin “Sulm ndaj personit zyrtar në kryeje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim.