Lokale - eSIMy

Dyjavëshit të masave për luftimin e pandemisë i erdhi fundi, por jo edhe nevojës për to. Kësisoj të dielën Qeveria i rishikoi sërish vendimet e saj, në mbledhjen e 35 që u mbajt në formë elektronike.

Virtualisht të paktën edhe për dy javë të tjera do të punojnë stafi dytësor derisa vetëm stafi esencial obligohet të dalë në punë.

Nga puna lirohet edhe njëri prind, nëse dy prindërit janë të punësuar dhe u duhet që fëmijët t’i dërgojnë në parashkollor.

Por dihet tashmë me siguri se mësimi parauniversitar, si shkollat fillore e ato të mesme nuk do të nisin deri më 26 shtator.

Bibliotekat do të jenë të hapura me 30% të kapaciteteve, ndërsa aktivitetet si klubet e natës, dasmat e ahengjet tjera, përfshirë festivalet e koncertet nuk lejohen fare.

Lëvizja në çfarëdo aktiviteti të lejuar mbetet e kufizuar nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit, e gastronomia me kufizimet e mëparshme. Maska obligohet qoftë edhe për të shkuar në tualet.

Brenda hapësirave të mbyllura lejohen vetëm deri në 20 persona, e në ato të hapura deri në 50 sosh.

Përjashtim bëjnë mbledhjet e Kuvendit dhe Qeverisë, gjithnjë duke mbajtur maskë e distancë.
Masat e miratuara do të rishqyrtohen sërish pas dy javësh.